Eksplozivi te “Don Bosko”, hetimi ndaj tre lushnjarëve kompetencë e Prokurorisë së Tiranës
12/04/2005 Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka deleguar për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, dosjen hetimore në ngarkim të tre të rinjve lushnjarë, të arrestuar si të dyshuar për dijeni rreth shpërthimit të eksplozivit te “Don Bosko”. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë këtij institucioni, të cilat sqaruan se transferimi i hetimit ndaj tyre është bërë pas konkludimit të mosimplikimit të të arrestuarve në këtë ngjarje. Burimet thonë se tre të rinjtë lushnjarë, Elvis Pethi, Ardian Llapushi dhe Mario Hasani, nuk rezultojnë të implikuar në atentatin e dështuar të 5 marsit te “Don Bosko”. Kjo, pasi nga verifikimet e tabulateve telefonike, rezulton që ata të mos kenë kryer biseda telefonike në numrin që iu gjet viktimës në vendngjarje. Burimet pohojnë se, edhe vepra penale për të cilën ata akuzohen, pengim të hetimit me pasojë moszbardhjen e së vërtetës, nuk i takon kompetencave të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas Prokurorisë është arritur të faktohet se ata kanë biseduar në telefon me numrin që iu gjet viktimës, por disa javë para ngjarjes. Ndërsa natën që shpërtheu eksplozivi, duke marrë jetën e Enver Rabiajt, dyshohet që me këtë të fundit të ketë biseduar në telefon Leonard Prifti. Numri i këtij të fundit është gjetur i regjistruar në një prej celularëve të të arrestuarve. Burimet thonë se edhe numri që iu gjet viktimës dyshohet të jetë përdorur më parë nga Leonard Prifti. Kjo, pasi vetë të prangosurit pohuan se ky numër kishte qenë i Leonard Priftit. Elvis Pethi, Aridan Llapushi dhe Mario Hasani u arrestuan Ditën e Verës në Tiranë, gjatë një kurthi të ngritur nga policia.