E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet një trafikant femrash

12/04/2005  Prangoset për moskallëzim krimi, zbulohen veprat e tjera

TIRANË- Arrestohet nga Policia e Tiranës dhe akuzohet për trafik të femrave për shfrytëzim prostitucioni. Sipas burimeve zyrtare të policies, në datën 10.04.2005, nga punonjësit e Komisariatit numër 5 u kap shtetasi në kërkim dhe u arrestua nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve, Xhavit Vulka, 35 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar me parë për moskallëzim të krimit. Ky shtetas, sipas policisë, është shpallur në kërkim nga Komisariati numër 4 për veprën penale të favorizimit të prostitucionit, i cili është dënuar me 4 vjet dhe 10 muaj heqje lirie. Shtetasit iu gjet një pistoletë, të cilën e mbante pa leje. U ekzekutua vendimi i gjykatës. Arrestimi i Vulkës vjen menjëherë pas prangosjes së Marsen Nelos, për të cilin u interesua jo vetëm antimafia italiane, por edhe të dërguarit specialë të Qendrës Antitrafik në Evropën Juglindore. Qendra Antitrafik në Vlorë, e cila e ndiqte prej kohësh dhe Prokuroria e këtij rrethi, e kishin dërguar dokumentacionin në Tiranë para disa javësh, kur filloi edhe gjurmimi i tij intensiv. Burimet policore thanë se ai do të gjykohet në Tiranë nga Krimet e Rënda, pasi për të janë të dokumentuara të paktën 3 denoncime për trafik femrash, me qëllim prostitucioni. Një nga vajzat e trafikuara prej Melos, sipas burimeve policore, është Marsela Tufa, e cila ka bërë denoncimin në polici. Ndërsa katër ditë më parë, tre bashkëpunëtorë nga Fieri, Pogradeci dhe Berati u arrestuan, pasi dërguan si prostitutë në Itali një 31-vjeçare, katër vjet më parë. Burime nga Antitrafiqet thanë për gazetën se Z.B., 31 vjeçe, lindur në Pogradec, banuese në Tiranë, e martuar me katër fëmijë, u trafikua në Itali në vitin 2001 nga Robert Banaj, 35 vjeç, lindur dhe banues në Fier, i padënuar, Thëllëza Salihaj, 37 vjeçe, lindur dhe banuese në Fier, e padënuar dhe nga një person i tretë, nga Pogradeci, i cili, tashmë ndodhet i lirë në Romë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›