E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, dekret urgjent në parlament për shpërblimin e pensionistëve para festave

Kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi dje gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, se “qeveria do të bëjë një dekret për shpërblimin e fundvitit që do të marrin pensionistët”. Shefi i ekzekutivit i vuri në dukje se kjo çështje ka patur përkushtimin e plotë të ministrit të Financave, pasi realisht shuma totale shkon në rreth 30 milionë dollarë. “Janë dy gjëra të rëndësishme, e para nuk mund të bëhej festa pa një shpërblim për pensionistët dhe e dyta i’u dha përgjigja më e mirë inflacionit, pasi kjo mbi indekson pensionet. Pra, me këtë shumë që marrin pensionistët tejkalohet qartësisht niveli i inflacionit, ndaj dhe kjo traditë nuk mund të shmanget”, tha Berisha. Kreu i qeverisë u shpreh se shpërblimin e pensionistëve qeveria do ta sjellë si dekret në parlament që të miratohet sa më shpejt, në mënyrë që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të ndërmarrë të gjitha masat për dhënien sa më shpejt të kësaj shume. Ndërkohë, Kryeministri Berisha bëri të ditur se “shpërblimi për punonjësit është i parashikuar në fondin e pagave dhe shpërndahet nga të gjitha institucionet sipas përcaktimit që ka. Gjithashtu përsa i takon ligjit për reformën në Akademinë e Shkencave, Kryeministri Berisha konfirmoi, se ky ligji, parashikon ruajtjen e titullit Akademik i Përhershëm, ndërkohë që qeveria ka një vendim nëpërmjet së cilit shpërblen titullin Akademik. Kryeministri nënvizoi se “pas konsultimeve të bëra do të ketë një modifikim në këtë ligj, pasi shumica e vendeve kanë të përcaktuar moshën si kriter, por krahas kësaj është e domosdoshme që të ketë edhe Akademikë të Përhershëm”. “Akademik i Përhershëm do të jenë somitetët kombëtarë (njerëzit e shquar), njerëzit me kontribute të mëdha, ndaj ne duhet të parashikojmë ekzistencën e Akademikëve të Përhershëm. Dua t’ju qartësoj se askujt nuk i hiqet titulli Akademik dhe trajtimi është identik pa asnjë ndryshim”, vuri në dukje kreu i qeverisë. Ndërkohë ai solli në vëmendje se “për sa i përket shpërblimit qeveria ka marrë një vendim në muajin Prill, në të cilin merr përsipër të shpërblejë titullin Akademik, pavarësisht në se je Akademik Nderi, Akademik në funksion apo Akademik i Përhershëm”. Shefi ekzekutivit theksoi se në rrafshin e shpërblimit nuk do të cënohet asnjë gjë, por natyrisht që në formën aktuale të organizimit do të jenë rrogëtar në Akademi, Kryetari i Akademisë, Sekretari i Përgjithshëm dhe ndonjë funksion që do ta gjykojë Asambleja. “Të tjerët pa përjashtim, të përhershëm apo në funksion, do të jenë në të njëjtin trajtim, pasi qeveria ka një vendim me të cilin do të shpërblejë dhe trajtojë titullin e Akademikut. Mendoj se ky ligj nuk ka ndonjë komplikim, pra është një ligj i cili finalizon reformën përfundimtare, duke i dhënë zgjidhje edhe problemit për Akademikët e Përhershëm”, deklaroi Berisha. Ndërsa lidhur me ligjin për ‘Ushqimin’, Kryeministri Berisha kërkoi, që “ligjit për Ushqimin t’i kushtohet gjithë vëmendja e duhur, pasi ai është një ligj shumë i rëndësishëm për fushën e vet”. Kryeministri Berisha kërkoi që “ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Jemin Gjana, si dhe anëtarët e komisionit përkatës, të cilët kanë kërkuar më shumë kohë në dispozicion për shqyrtimin e këtij ligji, të ulen bashkarisht, në mënyrë që ky ligj të vijë në formën më të mirë të mundshme, pasi është një ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm për fushën e vet”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›