Parlamenti, konsensus për t’i çelur rrugën zbardhjes së akuzave për rrugën Durrës-Kukës
Këshilli i Rregullores Mandateve dhe Imuniteteve gjatë mbledhjes së djeshme ka marrë në shqyrtim projektraportin e dorëzuar nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Basha. Kryeparlamentarja Topalli vuri në dukje se kemi një çështje në dorë, të cilën kurrsesi nuk mund ta lëmë të kalojë në sesionin tjetër parlamentar. “Po kështu, kemi marrë një vendim dhe kemi shprehur një vullnet që brenda këtij sesioni duhet hequr imuniteti i z Basha, ndaj unë ju paraqes një draft-raport për të cilin ju duhet të jepni mendimet tuaja”, tha Topalli, njëkohësisht kryetare e Këshillit të Rregullores. Ajo e vlerësoi projektraportin si “një bazë mbi të cilën mund të punojnë ose jo të dyja palët, por që deri të mërkurën raporti përfundimtar duhet të depozitohet, në mënyrë që Këshilli ta miratojë të Enjten”. Kryetarja e Kuvendit shtoi gjithashtu se të hënën e ardhshme ai do të votohet në seancë plenare. Sipas saj, në rast se nuk ndiqet kjo procedurë kërkesa për heqje imuniteti kalon në sesionin tjetër dhe rregullorja nuk të jep mundësi të ecësh përpara. “Unë kërkoj nga ju që raportin ta keni dorëzuar të mërkurën me qëllim që të hënën në Kuvend të bëhet votimi”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit. Nga ana tjetër përfaqësuesi i opozitës në Këshill, deputeti i PS-së, Petro Koci, vlerësoi “vullnetin e qartë të shprehur nga Topalli për heqje imuniteti”. “Është një vullnet që duhet përshendetur, por Prokurorja e Përgjithshme të mos ndryshojë prokurorët që e kanë hapur këtë çështje dhe vullneti i organit të akuzës të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse një nga stacionet e reja ku kalon rruga Durrës-Kukës është edhe Prokuroria e Përgjithshme”, shprehu ai.