E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita ylberiste e nihilizmit

Kryeministri Sali Berisha shprehu dje pasdite në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë, gadishmërinë e tij për t’iu përgjigjur çdo kërkese të Partisë Socialiste për interpelancë. Duke marrë fjalën në 60 minutëshin e parë të seancës parlamentare ku diskutohen çështje jashtë rendit të ditës, Berisha duke iu përgjigjur akuzave të përfaqësuesve të opozitës tha
se “kjo orë është shndërruar në orën e nihilizmit total, disinformimit të plotë, në orën e ethes së fuqishme për karrige dhe pushtet”. “Nuk ka asnjë parlament tjetër në botë, ku 45 vetë në unison fillojnë dhe mbarojnë betejën për karrigen e Kryeministrit, siç është ky parlamenti ynë sot. Që të gjithë, pa përjashtim e hapin fjalën me Kryeministrin dhe e mbyllin me të. Në radhë të parë duhet ta dini se nuk mund të keni më shumë se një Kryeministër dhe ajo është çështje juaja dhe jo e imja. Por në mënyrë absolute qytetarët e kanë kuptuar qartë se ju nuk po bëni asnjë gjë tjetër veçse luftë të brendshme për pushtet, por kjo mbetet sërish çështje e juaja. Ju po bëni një nihilizëm total. Nuk ekziston asnjë lloj diskriminimi për zonat elektorale dhe investimet për rrugët rurale po nisin në zonën e deputetit Stefan Çipa, por ju nuk i ndiqni problemet. Problemi juaj është se rrini në Tiranë dhe i shihni zonat me dylbi- deklaroi dje kryeministri duke iu drejtuar deputetëve socialistë të pranishëm në sallë. Duke iu drejtuar deputetëve të PS-së, kryeministri theksoi më tej se “ju më shumë dëgjoni akuzat e njëri-tjetrit, sesa dëgjoni projektet që ekzitojnë”. Reagimi i kryeministrit Berisha erdhi pasi deputetë socialistë në fjalën e tyre akuzuan qeverinë se po diskriminon zonat elektorale ku kanë fituar deputetë të PS-së përsa i takon investimeve publike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›