E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet me 4 muaj afati për komisionin e reformes zgjedhore

Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare miratoi dje, kalendarin e punimeve të Parlamentit, që është edhe i fundit për këtë vit, i cili përfshin periudhën deri në datën 27 Dhjetor. Axhenda në vijim e Kuvendit që do të mbyllë dhe punimet e sesionit të 5-të për legjislaturën e XVII, do të përfshijë një numër projektligjesh të rëndësishme. Gjithashtu, Konferenca
e Kryetarëve ra dakort që të shtyjë me 4 muaj, mandatin e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Ndërkohë, me kërkesë të përfaqësuesve të PS-së, Konferenca e Kryetarëve vendosi që të shtyjë për
në muajin janar të vitit 2008, mocionin me debat mbi raportin e Bashkimit Europian për progresin vjetor të Shqipërisë. Aktualisht komisioni i posaçmë parlamentar ka arritur vetëm që të ngushtojë rrezen e diskutimeve politike rreth problematikës së sistemit zgjedhor që pritet të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nga 5 propozimet e ardhura nga misioni i OSBE-ODIHR-it dhe Komisioni i Venecias, vetëm 2 prej tyre. Bëhet fjalë për një sistem zgjedhor të përafërt me atë gjerman dhe një sistem tjetër, të përafërt me atë spanjoll. Për të shmangur debatet në lidhje atë që përfaqësojnë këto lloj dy sistemesh, anëtarët e komisionit të reformës kanë rënë dakord t'i cilësojnë ato si dy propozime të përpunuara, ku baza për identifikimin e tyre do të jetë sistemi proporcional kombëtar i personalizuar, që do të thotë që krahas partive, siç e parashikon ky sistem, të garohet edhe me lista individësh, dhe propozimi tjetër përfshin sistemin proporcional rajonal. Për të shmangur çdo diskutim joproduktiv është vendosur që partitë e vogla të hartojnë dhe të paraqesin brenda dy ditëve, me shkrim, të gjitha pretendimet e tyre për këto dy lloj sistemesh. Përsa i përket sistemit rajonal kombëtar të personalizuar secila prej partive të vogla do të duhet të paraqesin një përmbledhje, ku dhe të japin vlerësimet e tyre për pragun elektoral, tipin e votës, pra votë të unifikuar ose jo, llojin e listave, pra lista të hapura ose të mbyllura, raportin e vendeve në Kuvend midis atyre që zgjidhen direkt dhe atyre me lista, si dhe lejimin e koalicioneve ose jo. Ndërsa në lidhje me sistemin proporcional rajonal, të vegjlit duhet të japin një vlerësim në lidhje me numrin e rajoneve, madhësinë e tyre, numrin e deputetëve që mendojnë se duhet të zgjidhet për çdo rajon, si dhe nivelin e pragut elektoral. Pasi të paraqiten mendimet e secilës parti me shkrim, dy bashkëkryetarët e komisionit do të ulen për të studiuar pikat e përbashkëta të të gjitha partive, në mënyrë që të krijohet mundësia për të diskutuar në lidhje me të gjitha ato çështje për të cilat të vegjlit mendojnë ndryshe. Për këtë do të kërkohet konsensusi në tryezën e komisionit dhe në mungesë të tij, nuk përjashtohet as mundësia e zhvillimit të negociatave direkte. Disa ditë më parë krerët e partive të vogla ranë dakord që të përkrahin sistemin zgjedhor gjerman, por me prag elektoral 2.5 për qind dhe me votë të unifikuar.
Meta: Reforma zgjedhore të zgjidhë edhe çështjen e përfaqësimit të grave në parlament/Lëvizja Socialsite për Integrim ka shprehur se do të mbështesë në punimet e Komisionit për Reformën Zgjedhore, cështjen e përfaqësimit të grave në parlament. Kreu i LSI-së, Ilir Meta nënvizoi dje e “reforma Zgjedhore mund të zgjidhë problemin e një përfaqësimi më të gjerë të gruas në parlamentin e ardhshëm”. “LSI është e angazhuar të pranojë dhe të promovojë sistemin e proporcionalit të pastër, pasi vetëm përmes këtij sistemi mund të garantohet barazia gjinore”, tha ai. Gjatë fjalës së mbajtur në tryezën e organizuar në Tiranë nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI), në qendër të të cilit ishte promovimi dhe rritja e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe në vendimmarrje në përgjithësi, Meta theksoi si një moment shumë të rëndësishëm rritjen dhe zgjerimin e pjesëmarrjes së gruas në politikë, si një hap vendimtar në demokratizimin e vendit dhe në procesin e integrimit. “LSI është e angazhuar të pranojë dhe të promovojë sistemin e proporcionalit të pastër, pasi vetëm përmes këtij sistemi mund të garantohet barazia gjinore në Kuvendin e Shqipërisë. Në rast se do të arrijmë të vendosim një sistem të pastër proporcional, ne do të garantojmë një përfaqësim të barabartë gjinor, 50 me 50 përqind”, nënvizoi më tej ai. Sipas tij, vetëm një balancim gjinor në parlament, mund të imponojë një pjesëmarrje sa më të madhe të grave në të gjithë organet vendimmarrëse politike, qeverisëse dhe shtetërore në përgjithësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›