25-vjeçarja,dyshohet vdekja nga gripi
• FIER - Eshtë zhvilluar dje ceremonia mortore për 25-vjeçaren Aurora Grëmi, e cila ndërroi jetë të enjten.Megjithëse Grëmi është përcjellë për në banesën e fundit, ende nuk janë zbardhur rrethanat e vdekjes së mistershme të saj. Familjarët vazhdojnë t’i mëshojnë faktit se Aurora ka vdekur nga gripi, ndërsa bluzat e bardha nuk e hedhin poshtë mundësinë e një infarkti. Mjekët e urgjencës i janë shmangur prononcimeve në media, duke i anashkaluar edhe problemit në fjalë. Vetëm ekipi i mjekëve që kanë pritur trupin e pajetë të 25-vjeçares mund të japin edhe një përgjigje rreth vdekjes së saj. Deri tani fakti i vetëm është ai që vajza kur ka mbërritur në spital ka qenë e pajetë. Mes dhimbjes për humbjen e bijës së tyre, familjarë të Aurora Grëmit kanë pohuar për “Panorama” se gjithçka i ka ardhur e papritur, pasi vajza prej katër ditësh kishte një gjendje gripale. Aurora u ngrit në mëngjes dhe shkoi për të larë sytë në çezmën që ndodhej në oborr. Kur ishte duke hyrë sërish në shtëpi i ka rënë të fikët dhe në këtë moment vëllai dhe e ëma kanë lajmëruar menjëherë një makinë. Rrugës për në spital ajo ndërroi jetë dhe në këtë mënyrë, mendojnë se shkaktar për vdekjen e vajzës të ketë qenë gripi. Me këto fjalë shprehet xhaxhai i vajzës. Ai shton se mjekët e spitalit, pasi kanë ekzaminuar trupin e Aurorës, kanë heshtur edhe pse nuk kanë hedhur poshtë mundësinë e vdekjes nga gripi. Nga ana e tij, drejtori i spitalit të Fierit, Artur Gjika, ka theksuar se është ende herët për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 25-vjeçares. Ai nuk e përjashton mundësinë e një gripi në faza të avancuara, por gjithashtu mbron tezën e një ataku në zemër. “Nuk mund të flasim me bindje pa ardhur rezultatet e dy analizave, histopatologjike dhe toksikologjike, të cilat do të mbërrijnë nga kryeqyteti. Do të jenë pikërisht këto analiza që do të përcaktojnë edhe arsyen e vërtetë të vdekjes së shumëpërfolur së të resë 25-vjeçare” bën të ditur drejtori Gjika.