Dosja “Kompas”, akuza kërkon 78 vjet burg
• TIRANE – Shtatë dënime dhe një pafajësi ishte pretenca e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dje në gjykatë për të pandehurit “Kompas”. Nën akuzën e trafikut të narkotikëve prokuroria kërkoi dënimin me 16 vjet burg për Arjan Selimin, të akuzuarin si kreun e bandës, i cili njihet edhe me emrin Armando Andoni. Po kaq u kërkuan edhe për të pandehurit e tjerë Kujtim Popoçi dhe Arjan Shabani, ky i fundit u hetua dhe u gjykua në mungesë. Ndërsa për Petraq Avramin, prokuroria kërkoi 10 vjet burg, për Muhamed dhe Blerand Fejzullain, at e bir, prokuroria kërkoi 5 vjet e tre muaj dhe 6 vjet e gjysmë burg. Për Fatmir Kuçin u kërkuan 8 vjet burg dhe për Dritan Kuçin prokuroria u tërhoq nga akuza. Të pandehurit e parë të këtij procesi u arrestuan më 24 qershor të vitit 2004, gjatë operacionit të koduar “Kompas”. Tre muaj më vonë u ekstradua nga SHBA-të, Fatmir Kuçi, personi i fundit i prangosur nga ky proces, ndërsa durrsaku Arjan Shabani ende nuk ka rënë në prangat e policisë. Pas një jave pritet që avokatët mbrojtës dhe vetë të pandehurit të paraqesin në gjykatë konkluzionet përfundimtare, ndërkohë kolegji penal prej pesë anëtarësh do shpallë vendimin. Gjatë procesit gjyqësor, të pandehurit kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës, ndërsa prokuroria e ka mbrojtur atë me prova të mbledhura nga autoritetet italiane të drejtësisë, të cilët kanë përgjuar në vitet 2000 – ’04, të pandehurit. Sipas prokurorisë të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin trafikonin drejt Italisë sasi të ndryshme narkotikësh, e cila sillej fillimisht nga Turqia në Shqipëri. Nën këtë akuzë u arrestuan mjaft persona në Tiranë dhe Itali, por shumë shpejt në qeli mbetën vetëm të pandehurit, pasi autoritet italiane e kanë përfunduar shumë kohë më parë procesin ndaj pjesës tjetër të grupit. fa.ma.