Shiti tezën e Juridikut, arrestohet ish-kreu i qeverisë Studentore
• TIRANE - Arrestohet në lokalin “Blusky”, në Durrës, ish-kreu i qeverisë studentore Ferdinand Sporea, i dënuar me 1.5 vjet burg, për shitjen e tezës së konkursit të pranimit në Fakultetin Juridik një ditë para provimit, në vitin 2005.Sipas hetimeve teza është shitur nga Sporea për vlerën 7 mijë euro. Arrestimi i të kërkuarit është realizuar pasditen e djeshme, në ambientet e lokalit “Blusky” në qytetin e Durrësit. Prangosja e ish-kreut të qeverisë Studentore të Universitetit të Tiranës, është bërë i ditur zyrtarisht dje pasdite nga policia e kryeqytetit e cila tha se Sporea, ishte shpallur në kërkim me vendim gjykate dhe i dënuar për shitjen e tezës së konkursit për pranim në Fakultet. Ferdinand Sporea ishte në kërkim nga policia e kryeqytetit që prej shtatorit të vitit 2005. Ai ishte identifikuar nga policia si personi që e vodhi dhe më pas e shiti tezën konkursit të juridikut një ditë përpara konkursit dhe gjatë mëngjesit të asaj dite më 9 shtator. Mesditën e djeshme agjentët e antikrimit ekonomik, kanë vënë në pranga Sporean, i cili po qëndronte i qetë në lokalin e njohur në qytetin e Durrësit. Sapo agjentët kanë hyrë në lokal, janë drejtuar për tek i kërkuari, i cili nuk ka lëvizur nga vendqëndrimi i tij. Agjentët e antikrimit ekonomik të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe ata të Durrësit, e kanë mbërthyer dhe e kanë dërguar fillimisht në drejtorinë e Durrësit. Pas kryerjes së procedurave rutinë në këtë drejtori, specialistët e antikrimit ekonomik bashkë me Ferdinand Sporean në pranga, kanë mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ish-kreut të qeverisë studentore, i është komunikuar vendimi i dënimit të gjykatës së Tiranës i dhënë në fillim të muajit mars të këtij viti. Ai është akuzuar nga prokuroria për “vjedhje”; “shpërdorim të detyrës” dhe “korrupsion pasiv e kryer nga persona që ushtojnë funksione publike”. Në vendimin e dhënë nga gjykata, është njohur vetëm akuza e fundit, duke e dënuar për shpërdorim të funksionit të tij. Sipas vendimit të gjykatës, teza është shitur me sms prej Sporeas dhe me një fletë, e cila është kapur dhe transmetuar ditën e provimit në media dhe të nesërmen në gazeta. Hetimet e mëvonshme të kryera nga prokuroria dhe nga policia zbuluan se autor i vjedhjes dhe më pas shitjes së tezës kundrejt shumave të konsiderueshme të parave, ishte i arrestuari i djeshëm Ferdinand Sporea. d.b