BE mbështeti pavarësinë në unitet
• Bashkimi Evropian ka rënë dakord që të mbështesë deklaratën për pavarësinë e Kosovës në unitet, duke i ofruar në këmbim Serbisë një anëtarësim të shpejtë në BE, qoftë edhe në fund të muajit janar të vitit të ardhshëm.Bashkimi Evropian ka miratuar formulimin e përbashkët të një kornize mbi pavarësinë e Kosovës, pesë ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit për statusin e saj përfundimtar. Po dje pas takimit në Bruksel, presidenca portugeze e BE-së pohoi se në takim u miratua misioni civil dhe policor i BE-së, i cili do të zëvendësojë UNMIK-un, ndërsa Kosova shkon drejt pavarësisë. “Ne kemi marrë një vendim zyrtar për të dërguar Misionin Evropian për Siguri dhe Mbrojtje në Kosovë”, tha kryeministri portugez, Jose Socrates. Diskutimet mbi Kosovën kanë nisur mesditën e djeshme me një fjalim nga kreu i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Havier Solana, i cili bëri thirrje për domosdoshmërinë e një zëri të përbashkët të Bashkimit Evropian mbi këtë çështje. Sipas burimeve të mediave të huaja në Këshillin e Ministrave të BE-së në Bruksel, fjalimi i Solanës u orientua në tri pika kryesore: së pari, ndërmjetësimi i treshes ndërkombëtare për të arritur një konsensus ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit por këto çështje përfunduan pa sukses dhe nuk ia vlen që ato të zgjaten më tej. Së dyti, status-kuoja aktuale në Kosovë nuk mund të vazhdojë më. Dhe së treti, Serbia duhet të mbahet afër që të ruhet qetësia dhe të shmanget rreziku i tensioneve të padëshiruara në rajon. “Ne duhet t’i dërgojmë dy sinjale: që Evropa do të sigurojë paqe dhe stabilitet në Ballkan, dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë të qartë drejt BE-së”, tha më pas Anders Fogh Rasmussen para fillimit të samitit. Kryeministri i Danimarkës, Rasmusen, mbështeti faktin se “Duhet të arrijmë në një qëndrim të përbashkët për sa i takon pavarësisë së Kosovës. Më pas i takon secilit prej vendeve anëtare ta pranojë këtë pavarësi në kohën dhe mënyrën që atij i duket më e përshtatshme”. Në parim, të gjitha vendet e BE-së e mbështetën deklaratën unike, me gjithë shqetësimin e Qipros dhe të Spanjës, të cilat i trembeshin një reaksioni zinxhir në rajonet e veta separatiste. Presidenti i Qipros Tassos Papadopoulos nuk bëri asnjë deklaratë para takimit. Në propozim, në deklaratën e samitit kërkohet, që të ecet përpara me zgjidhjen e statusit të Kosovës, sepse gjendja aktuale është e paqëndrueshme. Në draft shprehet vendosmëria e Unionit për të ndihmuar Kosovën në arritjen e stabilitetit të qëndrueshëm, përfshirë përgatitjet për dërgimin e misionit të BE-së. Thuhet gjithashtu se Serbisë do t’i ofrohet mënyrë e përshpejtuar për kandidaturën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pas samitit, Presidenti i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Poettering, tha, se “BE dhe SHBA do të koordinojnë një deklaratë për pavarësinë e Kosovës, duke refuzuar planet e Rusisë për ta mbajtur këtë provincë zyrtarisht si pjesë të Serbisë, kjo do të jetë zgjidhja përfundimtare por duhet të procedojmë me shumë kujdes”, theksoi ai. Reagimi serb Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha se propozimi i BE-së është i turpshëm dhe nuk do të merret parasysh asnjë shkëmbim territori i Serbisë për hyrjen e saj në Bashkimin Evropian. “Kjo qeveri thjesht nuk e sheh çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës dhe të ardhmen e Serbisë në plan të njëjtë që të mund të kompensohen me njëra-tjetrën. Pra, nuk do të merret parasysh asnjë lloj tregtie me territorin tonë për të na u hapur rruga drejt Evropës”, tha ai. Lidhur me deklaratën e kryeministrit Gordon Broun, se kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian është njohja e pavarësisë së Kosovës, Jeremiç tha, se ky është “qëndrim individual i Britanisë”.“Kërcënimet nga jashtë s’na shqetësojnë” Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, theksoi dje se Trupat Mbrojtëse të Kosovës do të jenë bërthama e forcës së ardhshme të sigurisë. Sejdiu shprehu gatishmërinë e tij, ndaj udhëheqësve të kësaj trupe në rrugën drejt krijimit të partneritetit të fuqishëm me NATO-n. “Kërcënimet që vijnë nga jashtë nuk paraqesin ndonjë shqetësim të madh, për faktin se në Kosovë gjenden forcat e NATO-s. Natyrisht, ne i kemi ofruar mbështetjen në këtë rast, këtij mekanizmi të rëndësishëm të Kosovës, në ecjen e mëtejshme në transformim dhe rrugën që do të kenë para vetes, në ndërtimin e Forcës së Re të Kosovës mbi bazën e parimeve të propozuara nga presidenti Ahtisari, mbi bazë të kritereve të NATO-s dhe mbi bazë të ambicies sonë që të jemi partnere e mirë e NATO-s dhe të anëtarësuar në NATO në një periudhë shumë të afërt kohore”, theksoi presidenti Sejdiu. Serbia s’do të përdorë armët “Serbia ka siguruar se nuk do të përdorë forcën as ndërhyrjen e ushtrisë së saj në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, tha dje ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung. Ministri gjerman ka zhvilluar një takim me kreun e komandantëve të forcave të NATO-s në Evropë, gjeneralin John Craddock. Pas këtij takimi Jung ka theksuar, se “Pala serbe nuk dëshiron të përdorë apo të provokojë dhunë”. Ministri gjerman i Mbrojtjes, ka pohuar se ka marrë një letër nga homologu i tij serb, Dragan Shutanovac, ku ai zotohet, se nuk do të dërgojë trupa në Kosovë nëse ajo i shkëput lidhjet me Serbinë. Ministri Jung premtoi, se Gjermania do vazhdojë t’i mbajë 2.800 trupat e saj në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe siguroi se kjo strukturë i ka marrë të gjitha masat për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe për të paraprirë çdo tendencë dhune. Rezoluta për Kosovën, stabilitet Maqedonia zyrtarisht ka shprehur mbështetjen për miratimin e një rezolute sa më të shpejtë për çështjen e Kosovës. “Maqedonia do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe t’i japë ndihmë logjistike KFOR-it”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, në takimin e Brukselit me shefat e vendeve dhe qeverive me orientim djathtist të vendeve nga Bashkimi Evropian, të cilët i takojnë Aleancës së partive popullore evropiane. “Rezoluta për statusin final të Kosovës është vetëm një element nga strategjia për stabilizim të sigurt të Ballkanit. Është e domosdoshme që zona e demokracisë, sigurisë dhe stabilitetit të zgjerohet me integrimin evropian dhe euroatlantik të vendeve nga rajoni të cilët i plotësojnë standardet dhe janë të aftë t’i përgjigjen obligimeve të marra”, ka theksuar Gruevski.“Kosova shumë shpejt e pavarur”Presidenti Bamir Topi ka vlerësuar, se pavarësia e Kosovës do të mund të realizohet brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. “Brenda një periudhe shumë të shkurtër, ne kemi pasur mundësinë që të shohim një përmirësim të dukshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, në funksion të çështjes së pavarësisë së Kosovës. Pra, ajo ç’ka do të ndodhë tashmë dihet. Kosova do të marrë statusin e pavarësisë dhe kjo po konfirmohet çdo ditë me pozicione të reja të vendeve që kanë qenë skeptike në këtë drejtim. Unë besoj, që pavarësia e Kosovës është një çështje ditësh dhe është mjaft e rëndësishme që politika e Bashkimit Evropian, sikurse thashë, po vjen në një pikë të përbashkët ku do të demonstrojë në mënyrë të qartë që njohja e Kosovës, qoftë kjo edhe në mënyrë të njëanshme do të jetë mjaft masive. Në këndvështrimin tim, nisur edhe nga informacionet besoj, që situata në Kosovë do të vazhdojë të qëndrojë e qetë edhe pas momentit të shpalljes së pavarësisë, nisur edhe nga një perceptim i vendeve të rajonit, të cilat po e pranojnë këtë realitet të ri në rajonin ballkanik si pjesë e një realiteti të domosdoshëm për ruajtjen e qetësisë në rajonin ballkanik dhe besoj edhe më gjerë”, theksoi në VOA presidenti i vendit, Bamir Topi. GNK: BE duhet të riafirmojë planin e AhtisaritGrupi i krizave u ka bërë thirrje liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian që të konfirmojnë edhe një herë mbështetjen e tyre për planin e Marti Ahtisarit. Presidenti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Gareth Evans, në një letër drejtuar kryetarëve të shteteve të vendeve të Bashkimit Evropian tha, se BE-ja ka një mundësi historike për të dërguar një mesazh të qartë se është e gatshme të marrë rolin udhëheqës. Sipas Evans, përmbajtja e mesazhit duhet të marrë formën e një deklarate të Këshillit, ku të theksohet se Trojka e ka përmbushur mandatin e saj dhe komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht BE-ja, ka eksploruar çdo variant të mundshëm me Beogradin dhe Prishtinën për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët. Plani Ahtisari për pavarësi të mbikëqyrur është platforma më e mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me eksponentë ndërkombëtarë të marrë shpejt përsipër një rol të rëndësishëm në Kosovë për zbatimin e planit Ahtisari, përfshirë edhe përgatitjet e tij për vendosjen e një misioni evropian për sigurimin dhe mbrojtjen, si dhe hapjen e një zyre civile ndërkombëtare. Ky mesazh duhet t’i dërgohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, para se Këshilli i Sigurimit të mblidhet më 19 dhjetor për të diskutuar për Kosovën.