Banorët e Kasharit në protestë:S‘na kthejnë dokumentet e pronave
• TIRANE – Një grup banorësh të Kasharit dolën dje në protestë, fillimisht para Ministrisë së Brendshme e më pas, para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.Ata nuk mbanin pankarta në duar, por kishin marrë me vete disa dosje me dokumentet e tokave që kanë humbur si pasojë e abuzimeve dhe falsifikimeve të kryera, për të cilat akuzohen tre ish-kryetarët e komunës Naim Karaj, Faik Fejza dhe Alfred Sulaj. Disa prej banorëve thanë se oficerët e policisë gjyqësore të antikrimit ekonomik u kanë marrë atyre dokumentet për llogari të hetimeve që janë zhvilluar lidhur me abuzimet me tokat. Banorët e zonës së Kasharit, përveç dënimit të ish-krerëve të Komunës që sipas tyre, kanë abuzuar me 16 hektarë toka, kërkuan që policia t’u kthejë dokumentet e pronave të sekuestruara për llogari të hetimeve. Sipas banorëve, disa prej dokumenteve kanë qenë origjinale dhe humbja e tyre mund t’i pengojë ata në përpjekjet për të rifituar pronat. Të dëmtuarit nga abuzimet me pronat thanë, se mbështesin hetimet e policisë lidhur me skandalin, por pohuan se oficerët gjyqësorë i kanë marrë dokumentet prej disa muajsh dhe ende nuk i kanë kthyer. t.s