Peng emigrantët për 120 mijë euro
• TIRANE- U duk si një mbledhje rutinë e policisë për të shpallur shifrat e krimit për të gjithë vitin, por si padashur u zbulua një ngjarje e pashkruar nga gazetarët.Dashamir BiçakuKa ndodhur në dy shkurt të këtij viti. Dy persona peng në Milano në shkëmbim të 1200 metra tokë në Durrës. Personazhe të ngjarjes dy kushërinjtë emigrantë dhe bashkëshorti i një avokateje të njohur në Tiranë.Ajo është bërë e njohur për publikun vetëm gjatë ditës së djeshme, gjatë zhvillimit të analizës së policisë së Fierit, ku ndodheshin, zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri dhe kreu i policisë Ahmet Prençi. Policia e Fierit dhe e Milanos, kanë arrestuar dy rrëmbyesit e dyshuar të dy emigrantëve në Itali dhe një bashkëpunëtor të tyre në Shqipëri. Roland Bendo, rreth 40 vjeç, me banim në Tiranë pranë ish-parkut të autobusëve, si dhe dy kushërinjtë e tij Ilir dhe Pëllumb Bendo janë arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia e Fierit, për pengmarrjen më 2 shkurt të këtij viti. Ata akuzohen se kanë rrëmbyer e mbajtur peng për pesë ditë, dy emigrantë në Itali, Misir e Lulzim Velçanin, të dy kushërinj nga Fieri. Rrëmbimi, sipas policisë ka ndodhur me 2 shkurt të këtij viti, në Milano të Italisë, ku persona të paidentifikuar kanë rrëmbyer në mënyrë të dhunshme dy emigrantët nga Mallakastra dhe më pas u kanë telefonuar të afërmve, se donin pronësinë e truallit të blerë në Durrës nga vjehrri i Misir Velçanit, Muço Goxhaj. Ngjarja është mbajtur ekstremisht sekret nga policia shqiptare dhe ajo italiane, pasi sipas krerëve të policisë së Fierit, hetimi ka qenë tepër delikat, deri në arrestimin e të gjithë të dyshuarve. Kjo është publikuar dje gjatë analizës vjetore të policisë së këtij qyteti. Vjehrri i njërit prej të arrestuarve, Muço Goxhaj, ka denoncuar në Drejtorinë e Policisë së Fierit, për një telefonatë që kishte marrë nga Italia. “Nëse tokën që djemtë e tu emigrantë në Itali, kanë blerë në Durrës, nuk e kalon në emrin tonë si dhuratë, dhëndëri juaj dhe kushëriri i tij do të vriten”. Ky ka qenë teksti i bisedës telefonike mes 55-vjeçarit, Muço Goxhaj dhe rrëmbyesve në Milano. Pas tyre sipas Goxhajt, ai është telefonuar nga Roland Bendo, me banim në Tiranë, bashkëshorti i një avokateje. Ai i ka lënë një takim në Patos, për të rënë dakord se si do të kryheshin veprimet. Policia ka administruar kallëzimin e Muços, ndërsa paralelisht me të në Itali, ka kryer kallëzim edhe vajza e Goxhajt, bashkëshortja e Misir Velçanit. Policia italiane ka nisur përgjimet e thirrjeve që vinin në drejtim të numrave të telefonave të të afërmve të pengjeve, me qëllim për të regjistruar bisedat dhe për të identifikuar vendndodhjen e mundshme të personave. Italianët kanë mundur të lokalizojnë vendndodhjen e tyre, por jo të zbulojnë ekzaktësisht atë. Në Shqipëri, blutë e Fierit, kanë organizuar veprimet që më pas çuan në lirimin e pengjeve, pesë ditë pas rrëmbimit. Fillimisht policia ka identifikuar, Roland Bendon, dhe telefoni i tij është vënë në përgjim. Vetë ai është vëzhguar nga agjentët e policisë. Pas takimit të Patosit me 3 shkurt, kanë nisur përpjekjet e Roland Bendos, për të hipotekuar tokën. Fillimisht përpjekjet kanë nisur në Tiranë, Berat dhe Fier, por hipotekat e këtyre qyteteve nuk kanë pranuar të regjistrojnë një pronë që ndodhet në një territor tjetër administrativ. Në fund, është vendosur që të shkonin në hipotekën e Durrësit. Ndërkohë që duhej të kryhej hipotekimi, Muço Goxhaj, duhej të bënte kujdes që personat të mos kuptonin se gjithçka mbahej nga policia nën vëzhgim. Në të kundërt, kërcënimi ishte serioz, dhëndëri i Goxhajt, Misir Velçani, dhe kushëriri i tij, Lulzim Velçani rrezikonin jetën. Në fund është rënë dakord, që prona të kalonte në emër të kushërinjve, Ilir Pëllumb e Roland Bendo, nëpërmjet hipotekës së Durrësit.Më parë policia ka komunikuar me krerë të hipotekës së Durrësit, që prona të shënohej në regjistrat e kaluar dhe të jepej një certifikatë pronësie e truallit që ndodhej në plazhin e Durrësit. Kur pronësia ka kaluar në emër të pengmarrësve dhe është marrë certifikata e pronësisë telefonata ka mbërritur nga Shqipëria, duke konfirmuar kalimin e pronësisë. Kjo ka bërë që Ilir dhe Pëllumb Bendo, me origjinë nga Berati të linin të lirë dy kushërinjtë emigrantë në Itali. Sapo ka ndodhur kjo, policia e Fierit, ka arrestuar në qytetin e Durrësit, kushëririn e pengmarrësve në Itali. Pas arrestimit të tij, në Durrës, policia italiane ka arrestuar në Milano, dy kushërinjtë Bendo, për rrëmbimin e dy kushërinjve Velçani. Policia e Fierit, ka kryer operacionin në fshehtësi të plotë, duke administruar si prova, një telefon dhe shumë dokumente. Të arrestuarit sipas policisë, do të akuzohen për pengmarrje për qëllime fitimi, gjobëvënie, kanosje për jetën dhe vjedhje me dhunë. Të gjitha veprimet sipas policisë janë kryer nga të arrestuarit në bashkëpunim mes tyre. Tashmë dosja është për hetim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, që vazhdon të mbledhë prova ndaj të arrestuarve.EmratTE ARRESTUARRoland BendoPellumb BendoIlir Bendote demtuarMISIR VELÇANILULZIM VELÇANImuÇo goxhaj