Shembet galeria në minierën e Bulqizës, plagoset rëndë armatori
• BULQIZË - Është aksidentuar dje në përfundim të turnit të punës minatori Sami Doga, 45 vjeç.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, teksa minatori me profesion armator, ishte duke punuar për sigurimin e një fronti pune në nivelin 16 të minierës së kromit Bulqizë. Ai dhe kolegë të tij kishin marrë urdhër pune për të vendosur shtylla prej druri, për të siguruar tavanin e një fronti të shfrytëzimit të mineralit në thellësitë e nëntokës. Mirëpo në punë e sipër, teksa po ndërronte shtyllën mbajtëse, një masiv shkëmbor ka rënë mbi trupin e minatorit Sami Doga. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes tregojnë se masivi që ra befasisht e ka zënë minatorin poshtë. Shumë shpejt, kolegët e tij, të cilët ndodheshin bashkë me të, kanë lëvizur gurët dhe mineralin që kishte rënë mbi trupin e minatorit. Më pas ai është përcjellë me shpejtësi në spitalin lokal të qytetit, mirëpo mjekët që kanë pritur urgjencën e radhës nga miniera e kromit janë shprehur se gjendja e minatorit ishte kritike dhe se ai duhej transportuar me urgjencë për një kurim më intensiv në drejtim të Tiranës.