E Shtunë, 31 Tetor 2026

25 vjet

Për të shënuar 25 vjetorin e themelimit të Teatrit të të Rinjve, Fëmijëve dhe të Kukullave “Dodona”, prej datës 21 deri më 24 shtator do të mbahet Festivali i Teatrove të Kukullave, i cili do të jetë mbarëkombëtar. Nga Albana S. Muja më 04 korrik 2011 në ora 17:50

Më e mira për më të vegjlit tanë është t’i çojmë në një shfaqje teatrore. Ndonëse janë fëmijë, ata shumë mirë dinë se ç’është më e mirë dhe më argëtuese për ta. Nëse ndalemi dhe e pyesim një fëmijë për teatrin, zgjedhja e tij do të ishte teatri i kukullave.

Teatri i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave, i njohur si teatri “Dodona” në Prishtinë, ka qenë shtëpia e parë në kryqytet, e cila ka sjellë shfaqje të këtij lloji. Që nga themelimi i teatrit, në vitin 1986 e gjer më sot janë shfaqur më se 33 premiera në skenën e teatrit të kukullave dhe mbi pesëdhjetë në skenën alternative. Po ashtu, janë realizuar shumë repriza shfaqjesh të ndryshme. Sa mbahet mend, shfaqja më e suksesshme është “Qeni që nuk dinte të lehë”, në regji të Melihate Qenës.

Valdet Rama, menaxher i “Dodonës”, thotë se interesimi i fëmijëve sa i përket teatrit të kukullave është në nivel.

“Ky teatër është themeluar si teatër i kukullave dhe e ka krijuar një bazë të veten. Tani skena e fëmijëve është në nivelin e duhur. Problemi më i madh është numri i vogël i ulëseve në sallën që ka ky teatër. Teatri ka 105 ulëse dhe kjo gjendje plotëson disi nevojat”, thotë Rama.

Statistikat për këtë vit flasin për mesatarisht 110 shikues në një shfaqje, mirëpo kjo mesatare del të jetë mbingarkesë për ulëset e sallës.

Sipas Ramës, këtë gjysmësezon janë luajtur mbi 40 shfaqje. Ndërkaq, skena e mbrëmjes është alternativë tjetër në këtë teatër, mirëpo e rëndësishme është që të dyja të funksionojnë mirë.

E veçantë këtë vit është ditëlindja e “Dodonës”. Festohet 25 vjetori i funksionimit të teatrit.

Rama njofton se këtë shtator, nga data 21-24, do të organizohet një festival i teatrove të kukullave, në të cilin do të marrin pjesë trupat e teatrove të kukullave nga regjioni dhe do të jetë i karakterit mbarëkombëtar. “Me rëndësi është që ky teatër ka arritur që gjatë kësaj periudhe kohore të krijojë një mori shfaqjesh. Tash për tash janë 12 shfaqje aktive dhe shikuesit tanë, të cilët vijnë çdo të shtunë në orën 12:00, nuk kanë mundësi që të shohin së paku për 10-12 javë të ardhshme të njëjtën shfaqje”, thekson ai.

Teatri i Kukullave këtë vit nuk ka pasur premierë. Arsye për këtë, sipas Ramës, ishte buxheti, i cili është aprovuar në fund të muajit mars dhe ishte e pamundur të planifikohet të punohet diçka pa qenë buxheti i ndarë.

“Erdhëm në përfundim që ta kemi premierën në shtator. Ndërsa për momentin janë tri shfaqje, të cilat janë në realizim e sipër. Sigurisht që sezoni vjeshtor do të jetë shumë i pasur me premiera”.

Premierat, të cilat mendohet të dalin deri në fund të vitit, janë “Gjyshi dhe rrota”, “Mrizi i Zanave” dhe “Minoku lozonjar”, një shfaqje që do të punohet me ndihmën e studentëve të Fakultetit të Arteve.

Këtë vit në repertor janë ende shfaqje, të cilat janë punuar 22 vjet më herët, e të cilat shikohen me ëndje. Ndryshe nga e kaluara, sipas Ramës, më nuk është nevoja që teatri të bëjë reklamë të madhe për ndonjë shfaqje, as ta ftojë ndonjë shkollë apo të vegjëlit nga çerdhet. Institucionet, si shkollat e çerdhet, e kanë bërë domosdoshmëri në planet e veta zhvillimore, vizitën e teatrit së paku një ose dy herë në vit.

“Tani shkollat na thërrasin vetë, edhe çerdhet gjithashtu. Kjo është forma e dytë, me të cilën ne funksionojmë, pra forma e organizimit të programeve dhe shikueshmëria në fund del e kënaqshme”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›