E Diel, 1 Nëntor 2026

26-vjeçarja: Policët më ngacmuan seksualisht

DENONCIMI/ Marjola Bonnet ka akuzuar dy policë rrugorë dhe shefin e tyre për dhunë fizike e psikologjike

Burimet zyrtare të policisë kanë hedhur poshtë gjithçka të pretenduar nga shqiptarja me shtetësi franceze

GJIROKASTËR- Uniforma blu të qarkullimit rrugor denoncohen se kanë dhunuar psikologjikisht, fizikisht dhe madje ngacmuar seksualisht një shtetase në mjediset e komisariatit. Denoncimi është kryer prej Marjola (Karagjozi) Bonnet, prej tre vitesh shtetase franceze.

Ndërkaq, në reagimin e vet Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet duke e cilësuar si provokim këtë rast dhe duke u shprehur se punonjësit e saj kanë kryer detyrën sipas ligjit..


Denoncimi


Marjola Bonnet (Karagjozi), 26 vjeç, e cila mban nënshtetësi franceze, pretendon se është fyer dhe goditur në publik nga punonjës të qarkullimit rrugor më 23 shkurt.

Ajo u shpreh se kishte pritur një reagim nga ana e institucioneve përgjegjëse, ndaj ka vendosur ta bëjë ngjarjen publike. 26-vjeçarja pretendon se muajin e shkuar, teksa lëvizte në qytetin e Gjirokastrës me automjetin e saj, të sjellë nga Franca, dy punonjës të policisë e kanë ndaluar dhe kanë përdorur fjalë fyese ndaj saj, si dhe vajzës që ishte me të në makinë.

Më pas, është afruar edhe një furgon policie, të cilët kanë kontrolluar automjetin, si dhe çantën personale.

"Unë u kërkova nëse kishin mandat kontrolli, por ata vazhduan me veprime të dhunshme, pastaj na kanë marrë dhe shoqëruar për në komisariat bashkë me makinën",- ka rrëfyer shtetësja.

Por, sipas saj, në mjediset e policisë ka vijuar dhuna fizike e psikologjike, por gjithashtu edhe ngacmimet seksuale. "Kur kemi hyrë në territorin e komisariatit, pasi kam zbritur nga makina, më ka goditur me radio në kokë pa shkak një punonjës policie, emrin e të cilit e mësova më vonë dhe quhet Blerim Laci.

Më kanë fyer. Ata kanë kryer të gjithë së bashku veprime të dhunshme duke më sharë e fyer kundër nderit e dinjitetit tim.

Unë vazhdimisht kam kërkuar shpjegime prej tyre se pse e bënin këtë gjë dhe nëse kishte një punonjëse policie femër që të kontaktoja me të, por punonjësi i policisë, Artan Çela, më tërhoqi çantën nga krahu, e hapi e kontrolloi dhe mori shumën prej 500 eurosh. Kurse punonjësi tjetër, Bardhi Bineri, filloi të më ngacmonte me duar në pjesët intime të trupit duke u tallur me mua",- shprehet 26-vjeçarja në denoncimin e saj.

Më tej ajo tregon se dy ditë më pas ka vendosur që të depozitojë një kallëzim penal në prokurori kundër dy punonjësve të qarkullimit rrugor dhe shefit të sektorit, Blerim Lacit. Kjo është e para herë që policia e Gjirokastrës akuzohet për kryerje të veprimeve të tilla. Ndërkohë, pritet edhe reagimi i Ambasadës Franceze.


Policia: Pretendimet e gruas, provokime
Një version krejt tjetër ka dhënë policia e Gjirokastrës për ngjarjen.

Në njoftimin zyrtar për shtyp, ky institucion ka deklaruar se pretendimet e kësaj shtetaseje nuk janë të vërteta.

Në të thuhet se ndalimi i 26-vjeçares është bërë për shkak se po lëvizte me shpejtësi në qendra të banuara dhe se nuk ka pasur dokumentacionin e duhur me vete. Madje, sipas uniformave blu, ka qenë ajo që i ka ofenduar punonjësit e policisë rrugore dhe si rrjedhojë është kërkuar ndihma e grupit të gatshëm.

Pas shoqërimit në komisariat, sipas njoftimit zyrtar, shtetasja ka vazhduar me pretendimin se dokumentet i kishte në banesë.

Pas mbajtjes së procesverbalit, ajo është lënë e lirë, ndërsa 3 ditë më pas, sipas ligjit, është vendosur që 26-vjeçares t'i hiqet leja e drejtimit për një periudhë 6-mujore, si dhe të gjobitet me 20 mijë lekë.

Por më 10 mars, nga ana e policisë rrugore është konstatuar se ajo vijonte të drejtonte automjetin e saj, tip BMV, çka ka bërë që të njoftohet grupi i gatshëm dhe ajo të shoqërohet në komisariat.

Sipas policisë, "pretendimet e shtetases Mariola Bonnet (Karagjozi) nuk janë aspak të vërteta, pasi në të dyja rastet e shoqërimit të kësaj shtetaseje në ambientet e Komisariatit të Policisë janë bërë konform ligjit dhe rregullores së Policisë së Shtetit dhe në asnjë rast nuk i është cënuar dinjiteti moral".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›