E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lotaria e pastër", operacioni i orëve të vona te lojërat e fatit

VLORË - "Lotaria e pastër" ka qenë goditja e radhës që drejtoria e policisë së qarkut Vlorë ka zhvilluar kundrejt aktiviteteve të paligjshme.

Veprimet janë kryer pas orës 23:30. Në bazë të një operacioni të koduar me këtë emër, është ushtruar kontroll nga ana e sektorit ekonomik të kësaj drejtorie në një nga lokalet në lagjen "Pavarësia", me pronar 25-vjeçarin M.Dervishaj, ka rezultuar se ky shtetas dispononte në lokalin e tij katër makina elektronike lojëra fati, pa lejen e organeve tatimore të Ministrisë së Financave, të lidhura me internetin, të cilat u administruan me cilësinë e provës materiale. Materialet u dokumentuan për veprën penale të "organizimit të lotarive të palejuara", ndërkohë që 25-vjeçari që kishte në pronësi lokalin, do të ndiqet në gjendje të lirë.

Po nën emrin e këtij operacioni, për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit është ushtruar kontroll në lokalin e 35-vjeçarit Ll. Hasani. Nga kontrolli i ushtruar ka rezultuar se ky shtetas dispononte në lokalin e tij tre makina elektronike lojëra fati, me mbishkrimin KAJOT, pa lejen e organeve tatimore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Edhe për shtetasin në fjalë do të bëhet ndjekja në gjendje të lirë për veprën penale të "organizimit të lotarive të palejuara".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›