Bashkia Vorë 44 familjeve: ktheni dëmshpërblimin
Nis procesi civil ndaj familjeve që sipas pushtetit lokal morën para mbi dëmin e shkaktuar
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, nisi dje procesin gjyqësor ndaj 44 familjareve të Gërdecit, të paditur nga Bashkia e Vorës,....................................... dëmshpërblim të tepërt për dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i punishtes së demontimit të municioneve mesditën e 15 marsit 2008.
Paraditen e djeshme pritej që në seancën e parë gjyqësore të paraqiteshin 44 përfaqësuesit e paditur nga juristët e Bashkisë së Vorës për të vazhduar seancën gjyqësore ndaj tyre, por mos njoftimi i të gjithë të paditurve ka bërë që seanca të shtyhet për më datën 13 maj të këtij viti.
Sipas kërkesë padisë, 44 familjet e Gërdecit nga dëmshpërblimi i parë për dëmet e banesave të tyre kanë marrë më shumë para se sa ishte kostoja reale e dëmtimeve. Këtë konstatim e kanë nxjerrë ekspertët e komisionit të dytë të vlerësimit të dëmeve.
Sipas akt-ekspertimit të fundit, 44 familje të Gërdecit kanë marrë në total rreth 1.1 milion lekë të reja, nga sa ishte vlera reale. "Shteti po na merr ato para që na dha si dëmshpërblim pas tragjedisë së Gërdecit",- thanë disa prej tyre.
Vetë banorët pretendojnë se gjithçka është bërë nga komisioni i dytë i dëmeve, i cili pa fakte ka ulur 10-fishin e shumës së caktuar nga komisioni i parë vlerësues i dëmeve të banesave.
Kështu nga 1.2 milionë lekë të vjetra dëmshpërblim që u caktua nga komisioni i parë, i dyti uli shumën në 90 mijë lekëve të vjetra, çka do të thotë se banorët duhet t'i kthejnë shtetit 1.1 milion lekë të reja. "Jam i paditur nga Bashkia e Vorës me arsyen se jam debitor ndaj saj.
Unë nuk e di se çfarë debitori jam, unë nuk i kam përfituar atë shumë parash me vjedhje, pra, nuk ekziston një mënyrë e paligjshme që unë mund t'i kem përfituar ato.
Lekët i kam marrë për dëmin që shtetit më ka shkaktuar mua me ndërtimin e fabrikës së demontimit të fishekëve në Gërdec, i cili shpërtheu dhe përveç dëmeve na mori edhe 26 jetë njeriu",-shprehet një nga të moshuarit që kishte preferuar të vinte dje në gjykatë.
Ndërsa, një djalë i ri, rreth të 30-tat shtoi se "as nuk kemi gënjyer, as nuk kemi mashtruar erdhi komisioni që bëri vlerësimet.
Ndërsa komisioni i dytë më rivlerësoi me minus dhe nuk i mori fare për bazë procesverbalet e para. Ne nuk po kërkojmë asgjë më tepër sesa shtëpitë tona që na shkatërruan.
Le t'i kthejnë ashtu siç i kishim dhe nuk i marrim asgjë shtetit",-tha njëri nga të akuzuarit për përfitim. Ndërkohë, një grua e rreth të 50-tave, u shpreh se "nëse shteti më ka vlerësuar 2 milionë lekë shtëpinë time, unë i kthej ato 2 milionë lekë, por shteti të vijë të më ndërtojë shtëpinë ashtu siç e kam pasur.
Dhe të nxjerri ankthin e fëmijëve të mi që ata e kanë përjetuar në atë ngjarje, kështu shteti mbetet debitor ndaj nesh jo ne ndaj atij"- shprehet gruaja me lot në sy. Kështu që, edhe pse të vënë nën akuzë disa nga banorët u paraqitën dje në Gjykatë, por, gjyqi u shty për 13 maj 2009.