Maroni: Mafia po riorganizohet, e rrezishme ajo shqiptare
Ministri i Brendshëm italian konsideroi se rreziku i mafias shumëfishohej për shkak të ndikimit të egër të mafias së huaj
ITALI - "Mafia po riorganizohet, ndërsa rreziku shumëfishohet për shkak të rritjes së ndikimit të mafias së huaj, ku veçohet ajo shqiptare". Është ky alarmi i dhënë dje nga ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, në një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të antimafias.
Ai u shpreh se "pasi u shkatërrua kohët e fundit nga aksionet shumë të efektshme të forcave të policisë, mafia po riorganizohet, madje aq mirë sa po bëhet edhe më e ndërlikuar në identifikimin e kreut të saj të ri".
Maroni përshkroi një "Koza Nostra", e cila konfirmon rikthimin e saj në territorin tradicional, por në gjendje tashmë që të përhapet edhe në qendrën e veriun e vendit me rrënjë veçanërisht të thella në rajone si Lacio dhe Lombardia, me një infiltrim në veshjen e sipërmarrësve lokalë.
Por, ajo çka e bën edhe më të ethshëm këtë alarm, sipas Maronit, është prania dhe agresiviteti i grupeve mafioze të huaja "të cilat i kanë edhe më të konsoliduara lidhjet e tyre edhe me mafian lokale.
Mafiet, ato të huajat, - shtoi Maroni, - janë veçanërisht të rrezikshme për dhunën e ushtruar në krimet e kryera". Mes këtyre mund të veçohet mafia shqiptare, më tej ajo rumune, kineze dhe nigeriane.
Veçanërisht shqetësim, sipas tij, përbën fakti se "tashmë kemi të bëjmë me një organizim më modern dhe më luftarak në gjendje të kushtëzojë politikën lokale, por edhe të veshë një profil ndërkombëtar e sigurisht më e gatshme për të gjetur rastet e duhura për pastrimin e parave të pista".
Maroni e përshkroi sistemin si të pranishëm në të gjitha rajonet italiane deri në Venecia, Emilia e Lombardi dhe tashmë me lidhje të konsoliduara me realitetin e frikshëm dhe të huaj. Përgatiti: