Avokati i Popullit i kërkon mbylljen e Burgut të Burrelit
Ka lagështirë, nuk ka kushte për jetesë ndërtesa është e amortizuar. Dibra: nuk e mbyllim dot, do rregullojmë kushtet
në një kohë sa më të shkurtër, kryeministrit të vendit Sali Berisha, ministrit të Drejtësisë Alibeaj dhe kreut të Burgjeve Dibra.
Ermir Dobjani i ka rekomanduar Qeverisë shqiptare këtë fakt pasi, sipas tij, burgu nuk i përmbush standardet për trajtimin e të burgosurve. Mbyllja rekomandohet nisur nga kushtet tejet të rëndë që ka aty, ndërsa kjo është konstatuar nga ekspertët e Avokatit të Popullit.
Nga një inspektimi, i kryer pak ditë më parë, është vënë re se kushtet e jetesës në ish- burgun famëkeq të internimit, mjediset e qëndrimit, të ngrënies, të fjetjes, ushqimi dhe ajrimi nuk janë në përputhje me ligjin "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve".
Kjo gjendje, sipas ekspertëve, është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe është një shkelje e të drejtave themelore të të burgosurve.
Gjithashtu për Dobjanin kushtet e vështira në Burgun e Burrelit kanë sjellë dhe mos respektimin e lirive dhe të drejtave të të burgosurve që ndodhen aty. Në kërkesën që Dobjani i bën Kryeministrit Sali Berisha dhe Ministrit të Drejtësisë, Enkeled Alibeaj, kërkohet që burgu i Burrelit nuk mund të vazhdojë të qëndrojë i hapur me kushtet aktuale.
"Avokati i Popullit ka qenë dhe është një nga institucionet që ka shprehur mendimin e palëkundur se Burgu i Burrelit nuk përmbush asnjë standard të pranueshëm për të ofruar këtë shërbim dhe prandaj Qeveria shqiptare duhet të marrë në konsideratë rekomandimin e Avokatit të Popullit se ky burg duhet mbyllur sa më parë",- thuhet në kërkesën e Avokatit të Popullit. Sipas ekspertëve të institucionit që mbron të drejtat e njeriut, gjendja e burgut është tejet e amortizuar dhe nuk është e arsyshme që të bëhen investime shtesë.
Sipas Avokatit të Popullit, transferimi i të burgosurve nëpër burgjet e tjera, sidomos në ato që janë ndërtuar rishtas do të sillte dhe zgjidhjen përfundimtare për të burgosurit që janë në Burgun e Burrelit.
Por dhe një shqetësim tjetër i ngritur nga Avokati i Popullit për këtë burg është dhe largësia e madhe e familjeve të të burgosurve. Kështu sipas ekspertëve të Avokatit të Popullit nuk është e drejtë që shumë familjarë bëjnë nga 4 - 5 orë rrugë për të takuar të afërmit e tyre.
Por kërkesa e Ermir Dobjanit për të mbyllur Burgun e Burrelit në një kohë të shkurtër nuk është mbështetur nga drejtuesit e burgjeve. Si drejtori i burgut të Burrelit ashtu dhe drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve nuk e mbështesin rekomandimin e Avokatit të Popullit për mbylljen e burgut. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, burgu i Burrelit nuk mund të mbyllet në një periudhë të afërt, pasi nuk mund të bëhet transferimi i të burgosurve nëpër burgje të tjera për shkak të mbipopullimit.
Për Dibrën ky burg mund të mbyllet vetëm pas dy vjetësh kur të ketë përfunduar dhe ndërtimi i institucionëve të reja për të burgosurit Edhe drejtori i Burgut të Burrelit, Shkëlqim Gjoçuka, nuk e mbështet idenë e mbylljes së burgut.
Në reagimin e tij për këtë çështjë Gjoçuka shprehet se duhet që të kemi investime të tjera për të përmirësuar gjendjen e burgut dhe jo të kërkojmë mbylljen e tij.
Gjithashtu nuk është mbështetur dhe kërkesa e Dobjanit për ta kthyer burgun e Burrelit në një muze për shkak të kërkesës së ish- të përndjekurve politikë.
Në Burgun e Burrelit aktualisht vuajnë dënimin rreth 250 të burgosur dhe është një nga burgjet e sigurisë së lartë në vend.
Kreu i Burgjeve: S'kemi vende në burgje, ndoshta pas dy vitesh
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në reagimin e saj për kërkesën e Avokatit të Popullit, nuk përkrah rekomandimin për mbylljen e Burgut të Burrelit në një plan afatshkurtër.
Sipas Drejtorit të Pergjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, mbyllja e burgut është e pamundur, pasi të burgosurit që vuajnë dënimin në këtë burg nuk mund të akomodohen në institucionë të tjera të vuajtjes së dënimit. " Qëllimisht ky burg është lënë nën kapacitet për të mos rënduar gjendjen e të burgosurve.
Burgu i Burrelit pavarësisht se ka probleme të shumta, është një burg që nuk ka patur shqetësime nga të burgosurit sidomos muajt e fundit",- shprehet Gazmend Dibra për këtë çështje. Drejtuesi i burgjeve shqiptare tregon se vetëm pas ndërtimit të institucionëve të reja të vuajtjes së dënimit, mund të shihet mundësia e mbylljes së burgut, dhe kjo nuk mund të bëhet për një periudhë të shkurtër.
Projektet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mbështetur dhe nga Këshilli i Europës synojnë ndërtimin e të paktën dy burgjeve të reja, konkretisht në Shkodër dhe në Peshkopi. Pa përfunduar ngritja e këtyre institucionëve nuk është e realizueshme mbyllja e burgut të Burreli, për të paktën dhe dy vjet të tjera.