E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërporositë, bllokojnë "mbylljen" e hetimit të Fazlliçit

FAZLLIC


Mbetet pa mbërritur letërporosia e dërguar nga Prokuroria në Qipro për paratë e serbo- boshnjakut


TIRANË- Njësia e task-forcës pranë prokurorisë së kryeqytetit, prej disa ditësh i ka dhënë fund praktikisht hetimit në Shqipëri ndaj biznesmenit serbo- boshnjak Damir Fazliç. Hetuesit ndodhen në pritje të përgjigjes së letër-porosisë së dërguar në Qipro. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës, të cilët sqaruan se hetimet brenda territorit shqiptar për aktivitetin e ligjshëm dhe të paligjshëm të biznesmenit Fazliç kanë përfunduar. "Nga veprimet hetimore që, organi i akuzës duhej të kryente në vendin tonë në lidhje me procedimin penal ndaj shtetasit serbo boshnjak Damir Fazliç, për dyshimet e kryerjes së veprës penale të "pastrimit të parave", prokuroria pothuajse i ka përfunduar. Por, për të mbyllur dhe nxjerrë një konkluzion në lidhje me kryerjen apo jo të kësaj vepre penale, jemi të detyruar të presim ardhjen e përgjigjeve të letër-porosive të dërguara në Qipro, Angli, Zvicër dhe Bosnje. Llogaritë bankare të këtyre vendeve, të cilat janë përdorur nga kompanitë e biznesmenit Fazliç në transferta të ndryshme parash, nga njëri shtet në tjetrin dhe në Shqipëri",-thanë burimet zyrtare por të rezervuara pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Duke shtuar, se hetimet e pastrimit të parave ndaj mikut të kryeministrit Sali Berisha, serbo-boshnjakut Fazliç kanë ngecur për shkak të mos ardhjes së këtyre letër-porosive të dërguara nga Prokuroria e Tiranës nëpërmjet rrugës zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Gjithashtu, këto burime saktësuan se me ardhjen e këtyre letër-porosive, dosja hetimore ndaj biznesmenit Fazliç mund të marrë një drejtim përfundimtar, drejt zbardhjes së veprës penale të konsumuar nga miku i kryeministrit Berisha. "Hetimet e nevojshme në Shqipëri për dosjen Fazliç kanë përfunduar thuajse tërësisht, duke sekuestruar një sërë shkresash, kontratash të blerjes së 14 hektarëve tokë në fshatin Rinia të Porto Romanos në Durrës, marrja në pyetje e banorëve që ia kanë shitur këto prona, pyetjen e personave që kanë punuar për llogari të serbo-boshnjakut Fazliç, vetë personin në hetim dhe shumë shkresa të tjerë që janë administruar në fashikullin hetimor",-thanë nga prokuroria. Sipas këtyre burimeve, letër-porosia që pritet të vijë nga Qipro ka të bëjë me të ardhurat e përdorura nga shoqëria "Altarie Reserach Limited" për blerjen e kompanisë "Croën Acquisition" me një vlerë prej rreth 1 milion e 750 mijë euro. Para këto që kanë ardhur në Shqipëri nga një filial bankar në Londër, ku më pas një shumë e caktuar është dërguar në Zvicër dhe në Bosnje. Sipas prokurorisë, me shitjen e kompanisë "Croun Acquisition" tek kompania me seli në Qipro "Altarie Reserach Limited", biznesmeni Fazliç i ka shitur 140 mijë metra katror truall, me dy parcelat në fshatin Rinia të komunës Porto Romano në Durrës, pa paguar detyrimet tatimore pranë institucioneve vendase.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›