E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë, arratiset nga komisariati 23-vjeçari

Arratisja/ Edmond Piraniqi u largua duke përfituar nga vëmendja e paktë kushtuar nga punonjësit e policisë

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm po heton për ngjarjen, ndërsa dy policë janë ndaluar si përgjegjës


KAVAJË - Ka mjaftuar lënia vetëm një çast për Edmond Piraniqin në komisariatin e Kavajës, që ai të largohej dhe t'i lërë dy policët që ishin përgjegës për ruajtjen e tij në padijeni të plotë për gjithçka. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm kur 23-vjeçari i shoqëruar një natë më parë është arratisur nga dhomat e paraburgimit të komisariatit të Kavajës.

Ndërkohë, dje në mesditë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme ka "zbarkuar" në vendngjarje për të hetuar lidhur me largimin e Piraniqit.

Në pyetje janë marrë dy policët që duhet të kishin nën mbikëqyrje 23-vjeçarin, të cilët rrezikojnë të akuzohen për "neglizhencë në punë", si dhe "abuzim me vendin e punës" në rast se vërtetohet se ka shkelje nga ana e tyre.

Ndërkohë, burimet zyrtare të policisë shprehen se SHKB është ende duke hetuar lidhur me ngjarjen dhe deri në orët e vona të mbrëmjes, ende nuk kishte dalë me një përfundim për fajësinë apo pafajësinë e uniformave blu.

Megjithatë, ditën e sotme pritet që dosja t'i kalojë prokurorisë së Kavajës për arratisjen e 23-vjeçarit nga komisariati.

Me gjithë heshtjen që mbuloi dje të gjitha strukturat e policisë për ngjarjen e ndodhur, mësohet se 23-vjeçari Edmond Piraniqi ishte shoqëruar të martën nga policët për t'u marrë në pyetje, pasi dyshohej se kishte qenë i përfshirë në një sherr mes dy të rinjve disa ditë më parë.

Gjithashtu, dyshohej se Piraniqi kishte ushtruar presion ndaj rivalit me armë zjarri. Megjithatë, deri mëngjesin e djeshëm, ndaj tij nuk ishte lëshuar asnjë urdhër-arresti dhe as ngritur ndonjë akuzë.

Ai është lënë në dhomat e shoqërimit dhe ka përfituar nga pavëmendja e punonjësve të komisariatit për t'u larguar. Një tjetër version i dhënë është edhe hedhja e tij nga dritarja e banjës së komisariatit.

Por burimet zyrtare nuk konfirmojnë asgjë, duke u shprehur se "çështja është ende nën hetim dhe nuk mund të flitet ende asgjë". Ndërkohë, dy policët janë ndaluar.

Në rast se vërtetohet fajësia e tyre, uniformat blu rrezikojnë jo vetëm dënimin, por edhe largimin nga policia përgjithmonë. Ndërkohë, Edmond Piraniqi është shpallur në kërkim.


Raste kur banja është shfrytëzuar si vend për arratisje ka qenë edhe ai i Dritan Dajtit, mbi 5 vjet më parë. Të dënuarit me burgim të përjetshëm iu sigurua një armë në banjën e gjykatës ku u çua nga toga e shoqërimit. Me armën ai kërcënoi policët, si dhe prokurorin e çështjes, ndërsa qëlloi brenda ambienteve të gjykatës. Në atë kohë, tre policë u deklaruan fajtorë nga gjykata.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›