E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, pranga doganierit dhe oficerit të rremë

DOGANA/ Policia e Gjirokastrës ka arrestuar "punonjësin e policisë", i cili kaloi mallra kontrabandë nga Greqia

GJIROKASTËR- Televizorët plazma vendosin në pranga doganierin dhe oficerin e rremë të policisë.

Hyrja kontrabandë e pajisjeve elektronike nga ana e një ish-të dënuari, i cili dispononte dokumente policore kanë penalizuar jo vetëm atë, por edhe punonjësin e administratës doganore të Kakavijës. 37-vjeçari Pëllumb Kaziu, nga Tirana, i dënuar në vitin 1995 me pesë vjet heqje lirie për veprën penale të "vjedhjes me armë" një ditë më parë ka futur nëpërmjet doganës së Kakavijës një sasi malli prej 16 televizorësh LCD plazma, gjashtë prej të cilëve ishin 32-polsh dhe 10 të tjerët 40-polsh, të blerë në Greqi dhe të disponuar për t'u tregtuar në Shqipëri. Për t'iu shmangur kontrolleve dhe ndalimeve nga ana e "kolegëve" të vet, në udhëtimin drejt kryeqytetit, Kaziu në automjetin e tij tip "Mitsubishi" me targë TR 3737 P me xhama të zinj, mbi kabinë kishte vendosur një fenelinë me ngjyrë blu të ndezur, si dhe një tabelë si ato që përdor policia rrugore për ndalimin e automjeteve dhe e mbante mbi kroskotin e makinës me pamje të dukshme dhe të qartë nga jashtë. Në momentin e ndalimit nga ana e uniformave blu të Gjirokastrës, 37-vjeçari është prezantuar si oficer policie i Krimit Ekonomik në Tiranë.

Por, pas një sërë verifikimesh ka rezultuar se Kaziu dispononte dokumentacion të lëshuar prej ish-kreut të rrugores në Tiranë, Krenar Ahmeti, që e lejonin atë të përdorte fenelinën dhe tabelën, duke evituar në këtë mënyrë të gjitha kontrollet e mundshme policore.

Ndërkaq, hetimet paraprake kanë treguar se ky shtetas së bashku me automjetin e tij ka hyrë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kakavije një ditë më parë dhe në pikën e kontrollit fizik të degës së doganës Kakavijë ku në detyrë ka qenë doganieri fizik Agron Basha, nuk është bërë asnjë praktikë për zhdoganimin e mallit që ndodhej në automjetin tip Mitsubishi.

Pas këtyre verifikimeve është bërë edhe ndalimi i doganierit Agron Basha i cili akuzohet për "Shpërdorim të detyrës". Kaziu do të përballet me drejtësinë për veprat penale të "kontrabandës me mallra të tjera"dhe "përvetësimit të titujve apo detyrës shtetërore".

Ndërkaq, Prokuroria e Gjirokastrës që ka tashmë në dorë dosjen, në bashkëpunim edhe me Sektorin e Krimit Financiar po hetojnë për raste të tjera të ngjashme, të shfrytëzuara prej 37-vjeçarit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›