E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate dhe propozime për kreun e QKK-së, kineastët kundërshtojnë Xhevdet Ferin



Izaura Ndoj
Me argument pro dhe kundër vazhdon debati për kreun e Qendrës Kombëtare Kinematografike. Të përfshirë në këtë debat janë katër shoqatat e kineastëve, emra dhe personalitete të kinematografisë, përfaqësues të artit dhe kulturës në vend. Shoqatat i kanë propozuar Ministrit të Kulturës tri emra për kreun e ri të Qendrës Kombëtare Kinematografike. Shoqata “Lumiere” me kryetar Kujtim Çashkun, Shoqata e Kineastëve e drejtuar nga Muharrem Fejzo, Shoqata e Filmit të Animuar dhe ai Dokumentar, vendosën që në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të çohen emrat e Abdurrahim Myftiut, Bujar Kapexhiut dhe Eno Milkanit. Një tjetër emër i shtohet atyre që kanë propozuar shoqatat e kineastëve për kreun e ardhshëm të Qendrës Kombëtare Kinematografike. Pandi Laço ashtu si edhe Abdurrahim Myftiu, Bujar Kapexhiu dhe Eno Milkani i jepen ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri i cili do t'i propozojë vetëm dy kreut të qeverisë, ai që vendos dhe emëron se kush do të drejtojë qendrën 4 vitet e ardhshme. Shoqata tjetër e cila drejtohet nga Ndriçim Xhepa dhe ku bëjnë pjesë regjisorë e producentë si Gjergj Xhuvani, Artan Minarolli nuk ka paraqitur asnjë kandidaturë për këtë post. Xhevdet Feri vazhdon të jetë në detyrë, me një urdhëresë të Ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri, deri në momentin kur ky i fundit të ketë propozuar dy kandidatura tek kryeministri që do të bëjë emërimin e pasardhësit të Ferit, ose Ferin vetë. Ankesat dhe pakënaqësitë ndaj rizgjedhjes së Ferit në këtë post janë deklaruar jo vetëm në MTKRS por edhe në shtyp, sepse sipas shoqatave “Periudha 2005-2009 me Ferin kryetar, quhet një cikël i mbyllur”. Xhevdet Feri, edhe pse ka mbaruar mandatin e tij si Kryetar është komanduar edhe për pak kohë në krye të QKK-së. Burime flasin për një rikandidim të mundshëm të tij në këtë post.
Rivendoset data e premierës “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”
Peripecitë e premierës së parë dhe të vetme për TK-në nuk patën të sosur. Një grip i Eva Alikaj dhe një aksident i paparashikuar i aktores Eftjola Laçka gjatë provave e çuan këtë shfaqje në disa shtyrje të përsëritura. Burime pranë TK-së tregojnë se është vendosur data 17 dhjetor si premiera për shfaqjen “Kush ka frikë nga Virginia Ëoolf”, gjithmonë nëse parashikimet do të shkojnë sipas dëshirës së drejtuesve të këtij institucionit. Dilema dhe arsyetime, shtyrje dhe dyshime duket se nuk e kanë zbehur entuziazmin e trupës së aktorëve, ku pritet të spikasin emrat e Eva Alikajt, e cila u kthye nga Austria në Tiranë dhe aktorit elegant Viktor Zhusti që mbërriti nga Greqia. Pjesa është një dramë e shkruar nga dramaturgu amerikan Edward Albee në fillim të viteve gjashtëdhjetë, kur bota pas epokës së pasluftës u përfshi më në fund në një diskutimin civil, që i takonte një teme jo më pak të rëndësishme se lufta, mbi “seksin e dytë”. Drama është shqipëruar nga Gjergj Peçi dhe do të jetë premierë për artdashësit më 17 dhjetor 2009 në Teatrin Kombëtar. Në rolet kryesore do të interpretojnë: Eva Alikaj, Viktor Zhusti, Eftiola Laçka dhe Helidon Fino. Jerga Hribar, do të jetë skenografja kroate, e cila në bisedat paraprake me regjisorin, mendohet se ka realizuar një gjetje moderne, evropiane. Një dramë me katër personazhe që vijnë nga festa, pastaj pinë pafund derisa shkërmoqen të katër. “Who’s afraid of Virginia Woolf” është një dramë e luajtur në skenat teatrore në të gjithë Evropën. Alikaj shprehet e kënaqur se ka mundur ta ndjekë këtë pjesë në Austri, në Volkstheatër dhe në Burgthteatër. “Kush ka frikë nga Virginia Woolf” ka patur realizime kinematografike të vitit 1966, me Elisabeth Teylor dhe Richard Burton, në regjinë e Mike Nichols
Festat e fundvitit, mbahet Koncerti i “Tre tenoreve”
Si çdo vit ata u mblodhën në Pallatin e Kongreseve në një koncert “live” dhe me një repertor të zgjedhur nga Puçini, Verdi, Donizzeti për t`ju uruar kryeqytetasve dhe të gjithë shqiptarëve festat e fund-vitit. Janë Adrian Xhema, Armaldo Kllogjri dhe Rame Lahaj, ky i fundit nga Kosova, që intepretojnë krijimin e Edmond Zhulalit me tekst të Nexhat Ymeraj. Adrian Xhema takohet në këtë mënyrë në Tiranë, pas koncerteve të tij në Gjermani, me publikun shqiptar dhe koleget e tij për të pushtuar skenën me zërin e tij të fuqishëm. Më e reja e koncertit ishte sopranoja Ramona Tullumani, 24 vjeç, me një zë tashmë të pjekur, ajo i dha skenës freskinë e interpetimit dhe sharmin femëror. Koncerti, në edicionin e tetë të tij, ishte edhe një homazh për Artistin e Popullit Ramiz Kovaçi, ndërkohë që të ftuarit e veçantë të tij ishin tre artistë nga Napoli, Vitalle Ruso, Giacomo Mosca dhe Francesco Tuppo. Koncerti “Tre tenorët” në këtë mënyrë la pas edicionin e tetë të tij, për herë e më shume pritet me interesim të madh nga publiku, fal repertorit të tij të veçantë e të larmishëm, çdo fund-dhjetori në këtë sallë shijohet në një mbrëmje të veçantë muzika e mrekullueshme, shoqëruar nga zërat më të mirë të muzikës klasike vendase dhe botërore, duke treguar në këtë mënyrë se njerëzit e artit, mund të falin momente të paharrueshme tingujsh, dashurie dhe pasioni për muzikën.

8 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›