28 qershori do zgjedhë mes Shqipërisë që po ndryshon dhe alternativës së nihilizmit

Kryeministri Berisha, gjatë përurimit të rindërtimit të rrugës Spitallë-Porto Romano shpalli punësimin dhe luftën kundër varfërisë, si dy objektivat madhorë të mandatit të dytë të qeverisë së tij Kryeministri Berisha përuroi sot fillimin e punimeve për rindërtimin e rrugës Spitallë-Porto Romano. Rruga me gjatësi 2.5 kilometra dhe gjerësi 16 metra, është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 220 milion lekë. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë segment rrugor jetik, pasi lidh Durrësin me Porto Romanon, me parkun industrial dhe energjetik. Në takimin me qytetarët, Kryeministri Berisha siguroi se në 4 vitet e mandatit të dytë, në fokus të vëmendjes sërish do të jetë jeta dhe problemet e qytetarëve. Punësimi dhe lufta kundër varfërisë, tha Kryeministri, do të jenë ndër objektivat madhorë të qeverisë. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Pak ditë më parë, ne inauguruam shkollën e re të Spitallës dhe u angazhuam para jush se së shpejti do të fillojmë rindërtimin e rrugës Durrës-Porto Romano. Rruga, së bashku me trotuaret, ka gjerësi 16 metra dhe është investim me vlerë 220 milion lekë. Kjo rrugë është e një rëndësie jetike, pasi lidh Durrësin me Porto Romanon, me parkun industrial dhe parkun energjetik, të cilët nisin së shpejti nga funksionimi. Së shpejti, fillon nga ndërtimi nyja e Shkozetit, ndërsa terminali i portit është në ndërtim e sipër. Pra, në të katër anët e Durrësit po bëhen investimet më të mëdha, se në çdo kohë tjetër. Shqipëria me infrastrukturë moderne, Shqipëria me rrugë të reja, Shqipëria me ujësjellës dhe kanalizime, Shqipëria me energji 24 orë janë zotimet tona. 4 vitet e mandatit të dytë, sërish do të jenë vitet e problemeve tuaja. Në këto 4 vite, ne angazhohemi që të sjellim ujin e pijshëm brenda shtëpisë së çdo shqiptare. Në këto 4 vite, ne angazhohemi që me sistemin e kanalizimeve të realizojmë pastrimin e plotë e përfundimtar të ujërave tona. Këto 4 vite, ne zotohemi të shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në rajon dhe më gjerë. Në këto 4 vite, ne zotohemi të rindërtojmë apo ndërtojmë nga e para çdo shkollë të vjetër në Shqipëri. Në 4 vitet që vijnë, ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë me shpejtësi rritjen e pagave dhe të pensioneve tuaja. Pra, problematika juaj është dhe do të mbetet programi i qeverisë së ardhshme. Punësimi juaj do të jetë një nga objektivat më madhore të qeverisë. Gjatë këtij mandati, ne kemi punësuar rreth 80 mijë qytetarë shqiptarë. Unë ju premtoj se në mandatin e dytë do të punësojmë dyfishin e tyre. Lufta kundër varfërisë është një objektiv tjetër madhor. Në 4 vjet, ne nxorëm nga varfëria 200 mijë shqiptarë. Vetëm gjatë muajit maj, me dyfishimin e pensioneve në fshat, ne bëjmë që edhe 180 mijë qytetarë të tjerë, ndër të cilët 170 mijë në fshat dhe mbi 10 mije pensionistë me pensione të ndryshme në qytet, të marrin mbi 2 dollarë në ditë, pra, të dalin nga varfëria. Kështu, në 4 vite, ne, së bashku, nxorëm nga kthetrat e varfërisë rreth 400 mijë shqiptarë. Unë ju premtoj që në 4 vitet që vijnë do t’i japim varfërisë goditjen më të pamëshirshme. Zero tolerancë ndaj varfërisë dhe mjerimit në Shqipëri. Sot, në Shqipëri, përballen dy alternativa. Alternativa e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nëpërmjet reformave dhe alternativa e mohimit të suksesit të reformave që anëtarësuan Shqipërinë në NATO. Alternativa e suksesit të reformave që bënë të mundur kandidimin e Shqipërisë në BE dhe nga ana tjetër, alternativa e mohimit të suksesit të reformave, sikur anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për kandidimin e Shqipërisë në BE të zbrisnin nga qielli dhe të mos ishin vepër e juaja, vepër e përbashkët e jona, realizim i ëndrrës dhe idealit tonë. Sot, në Shqipëri, sërish përballen dy alternativa. Ajo e reformave dhe rezultateve të pamohueshme të tyre dhe tjetra, alternativa e nihilizmit, e mohimit të çdo gjëje. Mos harroni se në kohën kur ne rrisnin pensionet, kundërshtarët tanë mohonin se pensionet po rriten. Në kohën kur ne rrisnin pagat e mësuesve, kundërshtarët tanë mohonin se po rriten pagat e mësuesve. Në kohën kur ne shkonin drejt NATO-s, kundërshtarët tanë organizonin mitingje proteste për të bllokuar procesin. Mandati i dytë po vjen. Zgjedhjet e qershorit po afrojnë. Le të punojnë të gjithë, së bashku, të rendim pas çdo vote, t’i kërkojmë votën çdo qytetari shqiptar që beson se: anëtarësimi në NATO është ndryshim; dyfishimi i pensioneve në fshat është ndryshim; ndërtimi i rrugëve në mbarë Shqipërinë është ndryshim; shtrirja e internetit në të gjitha shkollat e Shqipërisë është ndryshim; për kandidimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE është ndryshim; rritja e turistëve në Shqipëri nga 300 mijë në 2.7 milion vitin e kaluar është ndryshim. Të gjithë ata, të cilët pohojnë këtë ndryshim, i ftoj të votojnë për ne. Të tjerët, ne me durim të vazhdojmë të thellojmë ndryshimin dhe t’i bindim se ndryshimi jemi ne, se ne po ndryshojmë Shqipërinë, se në 4 vitet e ardhshme Shqipëria do të jetë disa herë më mirë, më e bukur, më e zhvilluar, sesa është sot.
...