E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon grushti ushtarak në Gjeorgji. Presidenti akuzon rusët, kurse këta shpallin ngrirjen e marrëdhënieve me NATO-n

Ka dështuar një rebelim ushtarak, për të cilin autoritetet gjeorgjiane thonë se ishte një grusht ushtarak shteti, i dirigjuar nga rusët, për të errësuar suksesin e manovrave ushtarake që NATO po zhvillon në territorin gjeorgjian, e ku është ftuar të marrë pjesë edhe një kompani ushtarakësh shqiptarë. Presidenti gjeorgjian Mikhail Saakashvili i deklaroi në mesditë Zërit të Amerikës se një kryengritje në një batalion ushtarak në afërsi të Tbilisit ishte një incident i izoluar, i cili ishte vënë shpejt nën kontroll. Zoti Saakashvili foli disa orë pasi shkoi në bazën Mukhrovani për të negociuar përfundimin e asaj që autoritetet thanë se ishte një rebelim i oficerëve renegatë të mbështetur nga rusët. Lajmet nga Gjeorgjia bëjnë të ditura se një ish-komandant i gardës kombëtare është arrestuar. Ministria gjeorgjiane e Mbrojtjes tha se kryengritja synonte ndërprerjen e stërvitjeve ushtarake të NATO-s që fillojnë nesër në Gjeorgji. Megjithatë udhëheqësit e opozitës ngritën pikëpyetje mbi njoftimet për një grusht të mundshëm shteti. Opozita është në javën e katërt të protestave në Tbilisi duke i bërë trysni zotit Saakashvili të japë dorëheqjen. Ministria e jashtme ruse i quajti akuzat për përfshirjen e Rusisë si një shenjë të imagjinatës të sëmurë të udhëheqjes gjeorgjiane, por njëkohësisht ka reaguar edhe ndaj aleancës ushtarake transatlantike, duke anulluar një vizitë të paralajmëruar në Bruksel të ministrit të jashtëm Sergei Lavrov.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›