E Shtunë, 31 Tetor 2026

“28 qershori është provë e bashkëpunimit Shqipëri-BE”

24/06/2009  Ambasadori i Sllovenisë, Bergant, flet për zgjedhjet në vendin tonë

Diplomati përshëndet aplikimin për statusin e vendit kandidat

Ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri, Alain Brian Bergant, ka deklaruar dje se zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në vendin tonë më 28 qershor, do të jenë provë e demokracisë në Shqipëri si dhe një hap i rëndësishëm për bashkëpunimin e mëtejshëm me Bashkimin Evropian. “Sllovenia bashkë me vende të tjera të Bashkimit Evropian do të ndjekë nga afër procesin e votimit. Ne besojmë, çka është në interesin e Shqipërisë, që zgjedhjet e këtij viti të jenë të qeta, të lira e të plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare”, - tha ambasadori i Sllovenisë. Duke dhënë një vlerësim të tijin personal për këtë çështje, Bergant tha se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të bërë zgjedhje të tilla, pra të zgjedhje të lira, paqësore dhe të ndershme. Në vijim të deklaratës së tij ai ka përshëndetur aplikimin e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, duke nënvizuar vullnetin e Sllovenisë pro zgjedhimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Sllovenia është për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka përshëndetur aplikimin e Shqipërisë. Gjithashtu ajo është dhe për liberalizimin e vizave për ato vende të rajonit që do të plotësojnë kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, kurse vendeve të tjera do t’u qëndrojë afër dhe do t’i stimulojë në plotësimin sa më të shpejtë të kritereve”, - vijoi ai. Ai tha se lëvizja e lirë e njerëzve është një nga vlerat dhe parimet bazë të BE-së.

Suedia

Një ditë më parë ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild, deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor është prioriteti i Suedisë. Suedia është shteti që do të marrë në fillim të muajit korrik presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Ai tha se ky vendim i Suedisë vjen pasi BE dëshiron stabilitetin e Ballkanit dhe për këtë do përshpejtohen veprimet për integrimin, ndërsa vlerësoi si shuam të rëndësishme që të gjithë vendet e Ballkanit të ecnin përpara drejt integrimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›