30 prill 2008
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese shqyrtoi një projektligj Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 30 prill 2008, shqyrtoi projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8102, datë 28.3.1996, Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit të përpunimit të ujërave të ndotura, të ndryshuar.
Ishin të pranishëm në mbledhje përfaqësuesit e ERRU-së, Aida Gojani, Irena Xhindi dhe Arian Jovani.
Anëtarët e Komisionit, pasi dëgjuan përfaqësuesit e ERRU-së, diskutuan në parim për projektligjin dhe e miratuan atë. Ata i vlerësuan të nevojshme ndryshimet që bëhen në këtë projektligj, për të pasqyruar ndryshimet e bëra në legjislacionin shqiptar, në përputhje me Kartën e Autonomisë Vendore.
Gjatë shqyrtimit nen për nen ata bënë disa vërejtje për nenet 1, 3, 6, 8 dhe 15 të projektligjit, të cilat do të pasqyrohen në raportin e Komisionit për seancë plenare. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 27 82 93). Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton dy projektligje Në mbledhjen e datës 30 prill 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi këto çështje: 1) Projektligji Për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit;
2)Projektligji Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave, si përfaqësues i Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillimin të Këshillit të Europës, për financimin e programit Punët e Komunitetit, faza e tretë.
3) Miratimi i projektrezolutës për veprimtarinë e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, për veprimtarinë e vitit 2007. Projektligjin Për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, Komisioni e ka diskutuar në parim në mbledhjet e datave 15 e 16 prill dhe sot vazhdoi me diskutimin nen për nen të tij, në prani të specialistëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Ky projektligj, i hartuar në bashkëpunim me shumë institucione ndërkombëtare dhe vendase, është në përputhje me aktet e organizatave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Ai shfuqizon ligjin nr. 8610, datë 17.5.2000 Për parandalimin e pastrimit të parave. Risitë që ai sjell në krahasim me këtë të fundit janë: zgjeron qëllimin e ligjit, duke futur dhe parandalimin e financimit të terrorizmit; rikufizon disa terma; shton numrin e subjekteve raportuese dhe kërkesat për raportim pranë autoritetit përgjegjës, etj. Efektet financiare të këtij projektligji, të cilat përfshijnë edhe blerjen e një porgrami analitik për ruajtjen e të dhënave dhe analizimin e tyre, do të plotësohen pjesërisht nga donatorët, si dhe nga mbledhja e gjobave për subjektet që nuk zbatojnë dispozitat e këtij projektligji. Komisioni bëri vërejtje, jo të karakterit thelbësor, në nene të veçanta dhe e miratoi projektligjin me të gjitha votat pro. Gjatë diskutimit të marrëveshjes, e cila ka synim zhvillimin ekonomik të disa zonave rurale dhe do të shtrihet në rreth 15 komuna të vendit, deputetët u interesuan për kriteret e përzgjedhjes së këtyre komunave, si dhe kërkuan që në projekte të tilla të kenë mundësi të përfitojnë komuna në të gjithë territorin, të përqëndrohen në komuna ku t`i shërbejnë prodhimit bujqësor dhe patën vërejtje për raportin e fiancimit, i cili do të jepet nga vetë pushteti lokal, duke kërkuar që ai të jetë sa më i vogël, për të mos rënduar buxhetin e tyre.
Marrëveshja u miratua me të gjitha votat pro. Gjatë votimit të projektrezolutës, deputetët e opozitës abstenuan dhe ajo u miratua me shumicë votash.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.) Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .