3-5 vjet pa taksa për emigrantët që do të investojnë në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha, njoftoi, të mërkurën, se Ministria e Financave është duke përgatitur kuadrin ligjor për inkurajimin e investimeve të emigracionit shqiptar në Shqipëri, duke i përjashtuar nga taksat për një periudhë kohore 3 deri në 5 vjet. Sipas z. Berisha, duke krijuar kuadrin e përshtatshëm ligjor të bashkëpunimit të lehtësirave, emigracioni dhe diaspora mund të shndërrohen në një nga levat më të fuqishme të zhvillimit të shpejtë të vendit. Z. Berisha e quajti këtë një masë të domosdoshme edhe si një detyrim moral ndaj emigrantëve, të cilët punën e tyre ta kthejnë në Shqipëri, kontributi i të cilëve në prodhimin kombëtar llogaritet në rreth 1 miliard euro. "Duke i përjashtuar 3-5 vjet nga taksat, në këtë mënyrë u japim mundësi të krijojnë biznese për familjet e tyre, t'i punësojnë ata dhe të krijojnë pasuri në Shqipëri. Ata kanë 15 vjet në vende të huaja, një pjesë kanë 50 vjet dhe një pjesë tjetër kanë edhe më shumë. Është shumë e rëndësishme që t'u krijojmë çdo lehtësi të nevojshme për të sjellë, për të investuar kursimet dhe fitimet e tyre në Shqipëri". Duke kujtuar se në Italinë e Veriut shqiptarët kanë ngritur dhomën e tregëtisë, biznesmenë të vegjël të mesëm dhe mëdhenj, janë të anëtarësuar në këtë dhonë, vetëm nga veriu 5000 mijë dhe po kështu në Greqi, në SHBA, Gjermani, kryeministri theksoi se "është në detyrimin tonë madhor që këtë potenacial të madh të mund ta angazhojmë, ta mobilizojmë, që të investohet në vend, duke vendosur një periudhë të lirë nga taksat për të gjithë emigrantët". Z. Berisha kërkoi që Ministria e Financave dhe Ministria së Ekonomisë të vendosë një bashkëpunim të ngushtë me bankat, me Bankën e Shtetit me të gjitha bankat e vendit që të lehtësohen transfertat për këtë qëllim dhe askërkush të mos mund ta përdorë këtë lehtësi përvecse emigrantëve. Kjo, nënvizoi kryeministri, është plotësisht e kontrollueshme, në mënyrë që të mos krijojmë vështirësi për biznesin ekzsitues. Ndërsa Ministria e Punëve Publike, theksoi z. Berisha, duhet që në të gjitha studimet dhe planet urbanistike të qytetit të Tiranës dhe qyteteve të mëdha të ndajë parcela për t'ua afruar atyre kundrejt dëshirës për të ndërtuar shtëpi.