E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Maria Costa

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi të mërkurën një takim me z.Antonio Maria Costa, Zv/Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së dhe njëkohësisht Drejtor i Ekzekutiv i OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC).

Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë që ka për qeverinë shqiptare forcimi i bashkëpunimit me OKB-në, në veçanti lidhur me luftën kundër drogës, krimit, por edhe në kuadër të luftës kundër korrupsionit në kuadër të Konventës së OKB-së për Luftën Kundër Korrupsionit. Kryeministri i shprehu angazhimin dhe vendosmërinë e plotë të qeverisë shqiptare në këtë drejtim dhe vlerësoi se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve janë jetike për rivendosjen e shtetit ligjor dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.

Z.Costa i prezantoi kryeministrit platformat e hartuara nga UNODC për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, të cilat parashikojnë koordinimin e veprimtarisë në këtë fushë të të gjithë vendeve të rajonit të prekura nga ky lloj trafiku, nëpërmjet një plan-aksioni të përbashkët afatmesëm.

Kryeministri përmendi disa arritje të qeverisë në këtë drejtim, siç është shkatërrimi i disa organizatave krimninale si dhe punën që po bëhet për ndalimin dhe vënien përpara drejtësisë të drejtuesve të tyre, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.

Z.Costa falenderoi qeverinë shqiptare për impenjimin e madh dhe angazhimin që po tregon përsa i përket luftës kundër korrupsionit përfshirë këtu edhe nënshkrimin e konventës së OKB-së për luftën kundër korrupsionit dhe diskutoi me Kryeministrin mbi strategjitë e përshtatshme për impelementimin e kësaj Konvente.

Kryeministri i shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar ngushtë me UNODC-un si dhe vendosmërinë për të implementuar me efikasitet Konventën për Luftën kundër Korrupsionit si një dokument shumë të rëndësishëm që do të sjellë një impuls të ri në luftën kundër korrupsionit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›