E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret Zv/ministrin italian të Aktiviteteve Prodhuese, z. Adolfo Urso

Kryeministri Berisha priti të enjten Zëvendësministrin e Aktiviteteve Prodhuese të Italisë, Adolfo Urso. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe zv/ministri italian Urso, u shprehën për mediat:

Kryeministri Berisha: Me mikun tim, z.Adolfo Urso, ne shqyrtuam edhe njëherë bashkëpunimin e shkëlqyer ekonomik dhe në rritje që po zhvillohet midis dy vendeve tona. Unë shfrytëzova rastin për të falenderuar z. Urso për të gjithë ndihmën shumë të çmuar që qeveria italiane dhe populli italian i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në të gjitha fushat. Unë shpreha një mirënjohje të thellë për inkurajimin që qeveria italiane u bën investitorëve italianë për të ardhur dhe investuar në Shqipëri, si edhe ndihmën e çmuar, bujare, në sektorin e infrastrukturës, energjisë, arsimit, turizmit dhe në të gjitha fushat, që i jepet Shqipërisë, nëpërmjet kooperacionit italian. E vërteta është që një faqe e re në marrëdhëniet midis dy vendeve tona po shkruhet, marrëdhëniet politike kanë qenë shumë të mira midis dy vendeve, por nëqoftë se flas për një faqe të re, flas për investimet italiane në Shqipëri.

Disa projekte të rëndësishme të infrastrukturës sonë po ecin përpara, në sajë të ndihmës së qeverisë italiane. Dy Banka italiane nisin verprimtarinë e tyre në Shqipëri gjatë këtyre muajve. Sipërmarrës të mëdhenj italianë, konsorciume të mëdha, që po tregojnë interes të veçantë për të investuar në burimet e mëdha energjitike të Shqipërisë, si dhe për të ndërtuar termocentrale me gaz likuid, janë shumë të mirëpritur në Shqipëri. Nesër do të nënshkruajmë një marrëveshje financiare për biznesin e vogël dhe të mesëm, për 27 milionë euro që është një nxitje e madhe, për këtë biznes dhe është gjithashtu një vlerësim shumë i madh.

Unë e informova z. Urso për vendimin tonë për të krijuar një zonë industriale të zhvillimit të shpejtë Tiranë –Durrës dhe kërkova mbështetjen e ministrit me ekspertë italianë të distrikteve industriale, sepse kam bindjen që kjo zonë mund të transformohet në zonën më tërheqëse për investimet italiane dhe të tjera të huaja në Ballkan. Shprehëm kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi vendosur në luftën kundër kriminalitetit dhe vendosmërinë për të vazhduar së bashku me "zero" tolerancë ndaj këtij fenomeni.

Zv/ministri Adolfo Urso: Në emer të qeverisë italiane, i shpreha Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare kënaqësinë për bashkëpunimin e plotë në luftën kundër kriminalitetit dhe në luftën kundër korrupsionit. Kemi siguruar vullnetin tonë të plotë për t'i dhënë një fillim të ri të madh dhe për të hapur një fazë të re ne marrëdhëniet tona, atë çka Kryeministri Berisha e konsideroi si një faqe të re në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ne jemi tashmë partneri i parë tregëtarë dhe vendi i parë investitor në Shqipëri. Ne e dimë se mundet dhe shpresojmë të bëjmë më shumë dhe se ky sinjal mirëbesimi në rrugën e re të Shqipërisë, të mund të kuptohet edhe nga partnerë të tjerë europianë. Për këtë arsye, duke mbajtur edhe angazhimin që kemi marrë së bashku me mikun tim, kryeministrin Sali Berisha, disa muaj më parë, pak kohë pas formimit të qeverisë së re, së bashku kemi realizuar në pak javë një "road mep". Kemi parë angazhimin e z. Berisha, i cili ka ardhur në Itali dhe ka takuar sipërmarrësit italianë. Dhe sot jemi këtu, në krye të një delegacioni të madh sipërmarrësish dhe investitorësh italianë, të cilët kanë shprehur interes të madh në fazën e re të privatizimeve në Shqipëri. Sinjali i parë domethënës është shprehur dhe nëpërmjet hapjes së 2 bankave italiane. Por jemi të sigurt se mund të bëhet edhe më shumë në sektorin energjitik, në atë të sigurimeve dhe telekomunikacioneve.

Unë shpreha vlerësimin e qeverisë italiane dhe të operatorëve ekonomikë italianë, për reformat që qeveria e zotit Berisha ka ndërmarrë në pak javë dhe për angazhimet që do te ndermarre në muajt që do të vijnë, me qëllim që të krijohet një klimë e favorshme, për zhvillimin e iniciativave private, krahas edhe të sipërmarrësve italianë. Nesër do të nënshkruajmë këtë marrëveshje, me anë të të cilës bashkëpunimi italian i jep një kredi ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me qëllim që të blihen teknologji italiane.

Gjithashtu, janë ndërmarrë dhe po ndërmerren angazhime të tjera dhe në sektorin e infrastrukturës dhe në sektorin e shëndetësisë. Gjithashtu, siguruam se do të japim mbështetjen tonë në realizimin e zonës industriale, do ta realizojmë këtë iniciativë në nivel qeverie, me ekspertëtë tanë, por edhe me shoqatat tona. Kemi parë sigurisht se janë bërë hapa përpara përsa i përket zgjidhjes së cështjeve që kanë vazhduar ndër vite dhe për këtë falënderojmë qeverinë e z. Berisha. Gjithashtu i shpreha z. Berisha dhe qëndrimin tonë që të realizojmë një tjetër mision, së shpejti, në sektorin e turizmit. Sepse mendojmë se ka ardhur momenti të fillojnë investime dhe në këtë sektor në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›