Z. Berisha: Ftesa e Shqipërisë, në vitin 2008, për në NATO është pasaporta më e shkëlqyer e sigurisë
Kryeministri Sali Berisha riafirmon se integrimi në NATO dhe sigurimi i një ftese për anëtarësim mbetet përparësi dhe objektiv i qeverisë shqiptare, për arritjen e të cilit ajo është e vendosur të mobilizojë të gjitha resurset."Ftesa e Shqipërisë, në vitin 2008, për në NATO është pasaporta më e shkëlqyer e sigurisë, e të ardhmes së sigurtë dhe e zhvillimit të këtij vendi". Këtë deklaratë z. Berisha e bëri të martën, gjatë takimit të komitetit ndërministror për integrimin në NATO. Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me NATO-n në të gjitha fushat, z. Berisha u shpreh, në fjalën e tij, se ky bashkëpunim kërkon që Shqipëria të zbatojë planin e veprimit për anëtarësim, në mënyrë që të meritojë ftesën në samitin e parë të zgjerimit, që NATO-ja do të ndërmarrë në dy vitet e ardhshme. Z. Berisha tha se Aleanca e Atlantikut të Veriut është, para së gjithash, një aleancë politike, çka nënkupton përpjekjen me serioze për të ndërtuar shtetin ligjor në Shqipëri, konsoliduar demokracinë dhe vlerat e saj, sistemin e bazuar në zgjedhje të lira, reforma të thella në gjyqsor dhe pavarësinë e tij. "Në Aleancë, në këtë grup të madh sigurie, u shpreh z. Berisha, mund të anëtarësohesh vetëm si një vend i lirë demokratik, që ndan me vendet anëtare vlerat themelore të demokracisë, ndaj dhe është e domosdoshme që çdo ditë të shënojë progres në barazinë para ligjit të qytetarëve shqiptarë dhe zbatimin e ligjit. Këto janë dy shtyllat kryesore të shtetit ligjor". Po ashtu kryeministri vlerësoi tepër të rëndësishme në këtë proces që Shqipëria të dalë nga harta e trafiqeve, të prodhojë siguri për qytetarët e saj dhe vendet fqinj, të ketë një kontroll serioz të kufijve, duke respektuar lëvizjen e lirë, t'u japë përgjigjen ligjore trafiqeve dhe që krimi i organizuar në Shqipëri të vendoset me shpejtësi para ligjit. "Organizatat kriminale, - tha z. Berisha, - këta aleatë potencialë të terrorrizmit ndërkombëtar, duhet të çmontohen dhe të marrin përgjigjen e merituar. Lufta kundër korrupsionit është një kusht tjetër themelor, për të cilin ne nuk duhet të kursejmë asnjë përpjekje". Po ashtu reforma në drejtësi, në organet e rendit, në organet e kontrollit të kufirit dhe reforma të thella në sistemin e parandalimit dhe të burgjeve, mbeten detyra për t'u përmbushur. "Nuk mund të anëtarësohemi në NATO pa arritur ato standarte dhe që janë plotësisht të mundshme, por që kërkojnë përkushtimin, seriozitetin dhe bindjen se është interesi jetik i Shqipërisë dhe shqiptarëve anëtarësimi në këtë Aleancë". NATO, theksoi kryeministri, gjithashtu është Aleancë ushtarake dhe kërkon një reformë të thellë të forcave të armatosura, kërkon një mbështetje të fuqishme të kësaj reforme me të gjitha burimet e domosdoshme. Në këtë kuadër, z. Berisha tha se platforma e reformës është e qartë dhe kërkoi që plani i veprimit për anëtarësim të shndërrohet në një axhendë të përditshme, duke angazhuar të gjithë potencialin politik, diplomatik, financiar, ushtarak për t'u faktuar vendeve anëtare të Aleancës, SHBA-së, që kanë dëshmuar një vullnet të madh për të mbështetur Shqipërinë, që në bazë të këtij plani dhe të Kartës së Adriatikut, sëbashku me Kroacinë dhe Maqedoninë, të jemi të gatshëm që në 2008 të marrim ftesën. Në këtë drejtim, vlerësoi kryeministri, lajme shumë inkurajuese solli takimi, në kuadër të Kartës së Adriatikut, në Uashington, në të cilin qeveria e SHBA-së dëshmoi vullnet të qartë për të ndihmuar dhe në këtë kuadër kërkohet mobilizim i të tëra mundësive tona, që ky objektiv të realizohet.