Kryeministri Berisha takon ministrin e Jashtëm të Hollandës, Bernard Bot
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi, të mërkurën, një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Hollandës, z. Bernard Bot. Z. Berisha falenderoi z. Bot për vizitën e tij të dytë në Shqipëri dhe për ndihmën e mbështetjen e Qeverisë së Hollandës ndaj zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Me këtë rast, Z. Berisha bëri një paraqitje të prioriteteve të qeverisjes dhe reformave kryesore të ndërmarra në vend për implementimin e tyre. Konkretisht, z. Berisha iu referua reformave për forcimin e shtetit ligjor, respektimin e shtypit të lirë, luftën kundër korrupsionit, ç'montimin e skemave të krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore dhe krijimit të një klime tërheqëse për biznesin sipas motos "Shqipëria vendi më tërheqës për investime në Ballkan." Në këtë kontekst, ai ftoi investitorët hollandezë të bëjnë investime në Shqipëri dhe gjithashtu kërkoi vazhdimësinë e ndihmës së Qeverisë Hollandeze për reformimin dhe zhvillimin e mëtejshëm në sektorët e gjyqësorit, biznesit, menaxhimit të mjedisit dhe arsimit profesional.
Nga ana e tij. Z. Bot uroi z. Berisha për nënshkrimin e Marëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe tha se Qeveria Hollandeze do të mbështesë zgjerimin e BE-së dhe Natos, të cilat konsiderohen si gur themeli të politikës së jashtme të Hollandës. Z. Bot bëri të ditur se Qeveria e tij ndjek politikën e inkurajimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset e integrimit dhe tha se vlerësimi i progresit të këtyre vendeve do të jetë shumë objektiv, bazuar në përmbushjen e plotë të Kritereve të Kopenhagenit. Për sa i përket reformave në përgjithësi, dhe në fushën e dejtësisë në veçanti, z. Bot u shpreh se ato marrin kohë, për nga natyra janë të vështira dhe se duhet të jenë të mbështetura nga lart dhe nga baza. Gjithashtu z. Bot shprehu gadishmërinë për të ndihmuar reformat e ndërmarra në kuadrin e procesit të integrimit në NATO.
Z. Berisha dhe Z. Bot diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në çështjen e Kosovës. Z. Bot theksoi rolin konstruktiv që ka luajtur dhe që duhet të vazhdojë të luajë Shqipëria, edhe pas zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës, në mënyrë të veçantë për respektimin dhe realizimin në praktike të të drejtave të minioritit serb dhe minoriteteve të tjera në Kosovë. Në mbyllje, Z. Berisha shprehu qëndrimin e njëjtë dhe vullnetin e Qeverisë shqiptare për të monitoruar dhe promovuar të drejtat e minoriteteve dhe dialogun në rajon.