E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilltari juridik, Spiro Peçi merret me komente politike, nuk sqaron krizën e Gjykatës

Juristët e cilësojnë shkelje të rëndë kushtetuese


Në një kohë kur juristët, të cilët janë njohësit më të mirë të ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës së Republikës, konstatojnë me keqardhje se Presidenti i Republikës ka krijuar një precedent të rrezikshëm, duke mbajtur peng funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, këshilltari i tij, Spiro Peçi i shmangur çdo përgjegjësi dhe në mënyrë të çuditshme e cilëson si normale, shkeljen e afateve. Menjëherë pas deklaratës së bërë nga deputeti demokrat Eduart Halimi, i cili akuzoi kreun e shtetit për shkelje të rëndë të ligjit themeltar të shtetit, duke mos dekretuar brenda afateve kryetarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, mandati i të cilit ka mbaruar në muajin qershor, këshilltari juridik pranë Presidentit Spiro Peçi e ka argumentuar këtë vonesë me procedurat burokratike të kuvendit. Sipas tij, fillimi i punimeve të sesionit të ri parlamentar do të shënojë dhe dekretimet e reja për këtë institucion kushtetues. “Vonesat në mos emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese kanë ardhur si pasojë e burokracive të Parlamentit dhe jo për faj të Presidentit”, tha ai. Peçi tha se presidenti Topi po vepron në respekt të Kushtetutës dhe transparencë të plotë. “Pavarësisht mos dekretimit të kreut të ri të kësaj gjykate, ky institucion kushtetues nuk është i bllokuar”, tha këshilltari ligjor i Presidentit, por duke mos dhënë asnjë përgjigje konkrete se çfarë ligjesh paska shqyrtuar dhe interpretuar gjatë kësaj kohe Gjykata Kushtetuese. Duke ju referuar nenit 125 të Kushtetutës në lidhje me emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Këshilltari Ligjor Peçi shpjegoi dhe arsyet e kësaj vonese, duke i atashuar një sërë përgjegjësish, Kuvendit. “Nga 9 kandidatë të Kushtetueses, vetëm 4 prej tyre u ka mbaruar mandati. Asgjë nuk e pengon Presidentin të zgjedhë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Por përpjekjet nuk kanë të bëjnë vetëm me Presidentin, pengesat janë nga burokracia e Kuvendit”, tha ai. Por, logjikisht gjithkujt mund t’i shkojë në mendje, se çfarë e pengon Presidentin e Republikës të nisë konsultimet me trupën gjyqësore për shpalljen e një kandidature, që më pas të merrte aprovimin e ligjvënësve. Përgjigja është se kreun e shtetit, nuk e pengon asgjë, as ngërçi politik, as mungesa e marrëveshjeve politike mes mazhorancës dhe opozitës, porsa kohë ai s’e ka marrë mundimin që të dërgojë në Kuvend, kandidatin për kryetar të Gjykatës Kushtetuese. Përfundimi i mandatit kushtetues për kreun e kësaj gjykate, ka ngjallur jo pak reagim dhe brenda radhëve të juristëve. Këta të fundit i kërkojnë organeve kushtetuese; Presidentit dhe Parlamentit që të respektojnë nenin 125 të ligjit themeltar të shtetit, në emërimin e kreut të këtij organi kushtetues. Sipas tyre ndryshe nga anëtarët e thjeshtë të Gjykatës Kushtetuese, kreu i këtij organi nuk mund të qëndrojë më në detyrë për aq kohë sa mandati i tij ka përfunduar. Në bazë të nenit 125 të Kushtetutës, shpjegojnë juristët, kryetari gëzon vetëm të drejtën e të qenit anëtar i thjeshtë i kësaj gjykate.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›