E Hënë, 2 Nëntor 2026

3 kushte për të marrë pjesë në ceremoninë mortore

17/04/2005  Lirohet përkohësisht Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë dje të drejtën e lirimit me kusht për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të vëllait të tij, Enver Haradinaj, që u vra dy ditë më parë nga persona të panjohur. Në njoftimin e dhënë për shtyp theksohet se "gjykatësi Judge Bonomy mori dje një vendim, për t'i dhënë të drejtën e lirimit të kufizuar ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për të marrë pjesë në funeralin e vëllait të tij si dhe të ceremonive të tjera mortore". Lirimi i kufizuar në kohë është shoqëruar dhe me disa kushte, që Ramush Haradinaj do të plotësojë. Në rast se ato nuk do të zbatohen, vendimi për lirimin e përkohshëm nuk do të jetë më i vlefshëm. "I akuzuari nuk duhet të ketë takime apo kontakte të tjera me dëshmitarët e akuzës, ose me çdo të mbijetuar tjetër, që ka dijeni mbi faktet e akuzës, si dhe nuk lejohet që të ndërhyjë në administrimin e drejtësisë. Gjithashtu, të akuzuarit nuk i lejohet që të ketë kontakte me çfarëdolloj media apo organizate të shtypit", thuhet në deklaratë. Vendimi i Gjykatës së Hagës duket se ka ardhur pas një letre që Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Kryeparlamentari Nexhat Daci i kishte dërguar gjykatës për krimet kundër njerëzimit, ku ofroheshin garancitë mbi lirimin me kusht të ish-kryeministrit. Rreth një muaj më parë, ky i fundit u vetëdorëzua në Hagë, pas mbërritjes së akuzave kundër tij, për krime kundër njerëzimit gjatë luftës më Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›