E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Duhet të jeni vëmendshëm që të mos ju mashtrojë dot askush nga të vjetrit"

17/04/2005  Nano fton të rinjtë në votime

Kryetari i Partisë Socialiste ka vijuar dje fushatën paraelektorale, në zonën ku do të kandidojë këtë verë, në Sarandë. Gjatë takimeve, ai ka ftuar të rinjtë të votojnë dhe të mbështesin socialistët, duke premtuar se Saranda do të kthehet në një qendër turizmi. Duket se, në këtë kuadër, Nano ka përuruar ndërtimin e lulishtes dhe sheshit përreth saj me sipërfaqe rreth 350 m2. Investim parashikon krijimin e ambienteve shlodhëse dhe argëtuese me elementë dekorativ e gjelbërim, sipas parametrave modernë dhe standardeve bashkëkohore, duke e bërë atë një qendër konkurruese me pikat më të zhvilluara turistike të Mesdheut. Financimi për këtë projekt kap shifrën 50 milionë lekë, kryesisht nga buxheti i shtetit, si dhe nga biznesi vendas. Në takimin me të rinjtë, Nano tha se “Saranda ka nevojë për një ndryshim të madh. Ka shumë breza para jush që “e kanë ngrënë çairin”, themi ne gjirokastritët, në këtë lloj Sarande, që është tani dhe, ne duam të zbatojmë në praktikë filozofinë e plakut të urtë, që vjen nga gjërat që lidh komunitetin njerëzor me vendet e Mesdheut, e plakut që mbillte ullirin, një pemë shekullore, për brezat e ardhshëm". Në fjalën e tij, kryesocialisti ka preferuar që të sulmojë politikanët e vjetër, për të cilët tha se është në Sarandë "për të ndarë disa nga shqetësimet e politikës së vjetër, që ka frenuar zhvillimin me ritmet e duhura deri më sot dhe ka krijuar prototipa politikanësh, apo të zgjedhurish, që kanë manipuluar në mënyrë populiste dhe mashtruese me interesat e komunitetit". Ndaj, ai u ka kërkuar të rinjve të jenë "të vëmendshëm që të mos ju mashtrojë dot askush nga të vjetrit". Në këtë kontekst, ai shtoi: "Jam këtu për ta nxjerrë politikën partiake, politikën shtetërore, politikën e vjetër nga zyrat, sepse Shqipëria dhe Saranda kanë nevojë për një ndryshim të madh, kanë nevojë që me pamjen dhe energjitë tuaja - më vjen mirë që disa prej jush po studiojnë në universitete të mira të vendeve fqinje, edhe për shkenca politike gjithashtu - që ju të jeni të gatshëm ta bëni këtë gjë". Ndaj, Nano kërkoi votën e të rinjve si ndihmë për të mbrojtur Partinë Socialiste nga njerëzit dhe sëmundjet e vjetra. Ndërsa, duke sulmuar kundërshtarët e tij politik, Nano tha se "ne kemi nisur të rikuperojmë shkatërrimin e Sarandës, të rivendosim rregullin e munguar në zhvillimin urbanistik dhe turistik të Sarandës".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›