Rishfaqen vandalizimet
17/04/2005 Dhuna shfaqet përsëri në stadiumet e Superligës. Një plagë e vjetër e futbollit shqiptar është rishfaqur sërish në “Ruzhdi Bizhuta”, në ndeshjen, Elbasani-Dinamo. Pak a shumë pritej që në Elbasan, të ishte një atmosferë e ndezur, pas replikave të fundit midis dy klubeve, por tifozëria verdheblu i ka kaluar caqet e një tifozërie të zjarrtë. Pas shënimit të golit të barazimit nga dinamovitët, stadiumi i Elbasanit ka marrë “flakë”. Preteksti ka qenë 11-metërshi i akorduar në favor të Dinamos, nga gjyqtari kryesor i takimit, Likja. Në fillim, tifozët e Elbasanit i janë drejtuar me sharje e fyerje presidentit të Dinamos, Besnik Sulaj, i cili është detyruar që të largohet nga stadiumi, menjëherë mbas shënimit të golit të barazimit nga skuadra e tij, nën mbrojtjen e forcave të shumta të rendit. Mbas përfundimit të takimit, tifozët elbasanas nuk janë mjaftuar me sharjet në fushë, por kanë gjuajtur me gurë e sende të tjera të forta, të gjitha makinat e lokalet që ndodheshin pranë stadiumit. Fatmirësisht nuk pati asnjë të plagosur, por pati shumë dëme materiale. Forcat e rendit u impenjuan menjëherë për largimin e turmës së irrituar dhe nuk ndaluan asnjë nga personat e implikuar në këtë incident të shëmtuar. Është për të ardhur keq që dhuna po zë vend përsëri në stadiumet tona, duke i dhënë kështu një goditje futbollit shqiptar. Por, më tepër të vjen keq që kjo dhunë shfaqet në një qytet si Elbasani, i cili me trashëgimin e tij kulturore duhet që të jetë një shembull pozitiv i qytetërimit në stadiumet tona dhe jo një shembull i regresit e dhunës.