“Poker” i Partizanit, bie Egnantis
17/04/2005 Pesë gola, dy shtylla dhe disa raste të humbur, janë gjithçka, çfarë ka ndodhur në takimin e zhvilluar dje, në kompleksin stërvitor të ekipeve Kombëtare, ndërmjet Partizanit dhe Egnatias. Një Partizan i rinuar që shënon plot katër gola, duke treguar një formë mjaft të mirë, sidomos fizike, përballë një Egnatie, që edhe pse u mundua shumë, nuk u tregua e zonja të shfrytëzonte më mirë mundësitë që iu ofruan dhe që i ka dhënë matematikisht “lamtumirën”, edhe qëndrimit në Kategorinë Superiore. Një dygolësh i Halilit, i pari me fanelën e kuqe, një gol i Bylykbashit (i 16-ti për të në këtë kampionat) dhe një gol i Delain (i pari për të me fanelën e Partizanit), kanë shuar dëshirën e rrogozhinasve për të marrë një pikë në Tiranë. Mungesat e shumta e kishin detyruar teknikun e Partizanit, Mema, të bënte disa ndryshime në skuadër, ku për herë të parë janë përfshirë edhe Doku e Peqini. Mema e ka nisur lojën me rreshtimin 3-5-1-1, ku sulmuesi i vetëm ishte Halili, i ndihmuar nga Bylykbashi. Nga ana e tij, Ferko ka patur vetëm një ndryshim në skuadër, ku Maho e ka nisur lojën nga stoli. Ndeshja ka nisur e qetë dhe pa ndonjë ngacmim serioz të portave dhe kjo ka vazhduar deri në minutën e 19-të, kur do të jenë rrogozhinasit që do të kenë mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh. I riu Guranjaku do të shpërdorojë një asist të shkëlqyer të kapitenit Pasha. I menjëhershëm ka qenë reagimi i të kuqve, të cilët fillimisht kanë goditur traversën me Bylykbashin, në minutën e 24-rt dhe vetëm tri minuta më vonë, do të gjejnë dhe rrjetën me autor, Halilin, i cili shfrytëzon mjaft mirë asistin e Delain. Pas golit, loja hapet dhe deri në fund të pjesës së parë do të regjistrohen edhe dy raste shumë të pastra, nga një për secilën skuadër, por rezultati nuk do të ndryshojë. Në pjesën e dytë, Ferko do të bëjë një ndryshim, duke hedhur në lojë Mahon dhe rezultatet do të vijnë. Që në minutën e pestë, miqtë do të barazojnë me Cenon, i cili i është shmangur pozicionit jshtë loje, duke barazuar. Partizani nuk pajtohet me rezultatin dhe Mema zëvendëson një mesfushor, Dokun, me një sulmues, Abilaliajn. Dhe 12 minuta pas golit të Egnatias vjen një njësh-dysh “vdekjeprurës” i të kuqve, me protagonistë, përsëri Halilin dhe Bylykbashin, të cilët në minutat 62 dhe 65, përmbysin gjithçka. Për Bylykbashin, ky ishte edhe goli i tij numër 16, në këtë sezon, duke u barazuar me Salihin dhe Abilion në krye të golashënuesve. Pas dy golave të menjëhershëm, Mema nxjerr nga loja, Halaçin e Allmuçën, duke menduar për Kupën. Në vend të tyre, Metaj dhe Ziu. Rezultati 3:1, i ka prerë miqtë, të cilët nuk gjejnë më forca, edhe pse i afrohen golit me Laskajn. Hapësirat e veprimit të rrogozhinasve ngushtohen mjaft dhe mbrojtja e Partizanit me treshen e qendrës, Gallo, Delain dhe Peqini, nuk hasin shumë vështirësi, ndërkohë që në sulm, të kuqtë bëhen pengesë e vetvetes. Por, atëherë kur loja po i drejtohej fundit, do të vijnë edhe dy çaste kulmore. Në minutën e 89-të, Guranjaku privohet nga goli prej shtyllës dhe vetëm një minutë më vonë, Delain do të shënojë golin e katërt për Partizanin, pas një kundërsulmi të rrjedhshëm. Përfundimisht 4:1, për Partizanin, që pas humbjes së Teutës e sheh veten në vendin e 5-të dhe pret tashmë, sfidën e sezonit me Teutën, të mërkurën. Nga ana e saj, me këtë humbje, Egnatia i bashkohet Laçit në Kategorinë e Parë, 5 javë nga përfundimi i kampionatit.