Të nderuar pjesmarrës, E prita me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë aktiv me dëshirën për të diskutuar dhe ndarë opinione për veprimtarinë tuaj, për asistimin që mund
Të nderuar pjesmarrës,
E prita me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë aktiv me dëshirën për të diskutuar dhe ndarë opinione për veprimtarinë tuaj, për asistimin që mund t'ju ofrojë shteti në mënyrë që kjo veprimtari të jetë sa më e dobishme për ju dhe gjithë komunitetin dhe për të identifikuar se çfarë mund të përmirësohet në marrëdhëniet e partneritetit të shtetit me pjesën e biznesit që ju përfaqësoni.
Në një vështrim praktik, rritja e veprimtarisë dhe e biznesit tuaj, shkon nw tw njwjtin drejtim me përpjekjet për forcimin e vet shtetit.
Bile po do të kuptosh si i ka punët shtetin shqiptar, duhet të shikosh marrëdhëniet e shtetit me biznesin tuaj.
Pak më shumë se dhjetë vite më parë, vendi përgatitej të hynte në rregullat e reja të lojës së ekonomisë së tregut, ne një terren të panjohur e plot pikpyetje dhe po atëherë, edhe pjesa dërmuese juaj ju kushtua inisiativës së lirë. Sot, çdo krahasim me bazën e nisjes mund, të na bëjë së paku optimistë, se shërbimi që i ofrojmë komunitetit do të jetë gjithmonë e më i suksesshëm.
Qeveria shqiptare e konsideron biznesin e ndërtimit si një prej veprimtarive ekonomike me frytdhënëse, që ofron më shumë fronte pune dhe që bën një qarkullim relativisht të shpejtë të fondit të investuar.
Por në të njëjtën kohë, është dhe një nga veprimtaritë me legjislacion më të paplotë ose në rastin më të mirë, krejtësisht i paazhornuar me ralitetin. Kjo mungesë azhornimi sjell ato vakume që shfrytëzohen për të gjeneruar korrupsion. Nuk dua të bëj komente, sepse ju jeni nga ata që ja dini çmimin edhe ndonjë politikani për t'ju detyruar juve të paguani tek administratorët e shtetit e të pushtetit vendor dhe t'ja kaloni pastaj këtë faturë qytetarit të thjeshtë që ble shërbimet tuaja.
Kjo ka sjellë që problematikat me të cilat ndeshet biznesi juaj të jenë të shumta dhe të trashëgohen nga njëra administratë tek tjetra. Thënë ndryshe, ritmit të rritjes së veprimtarisë suaj, nuk i përgjigjet i njëjti ritëm bashkëpunimi nga administrata shtetërore, se kapitali dhe aftësia juaj për ta bërë eficent atë, është rritur më shpejt se aftësia e shtetit për ta kontrolluar dhe orientuar atë.
Qeveria shqiptare mendon se shtimi i kontrollit financiar dhe forcimi i rregullave të lojës nuk do të thotë, në asnjë rast, bllokim i nismave private apo i fluksit të investimeve, përkundrazi, ai mund të ofrojë më shumë vizion dhe më shumë vënie të tij në shërbim të gjithë komunitetit. Por kur them se biznesi i ndërtimit duhet t'i nënshtrohet kontrollit institucional, kjo nuk mund të realizohet nëpërmjet bllokimit, por nxitjes për realizimin e ndërtimeve dhe investimeve serioze. Ruajtja e kapitaleve tuaja nga risqet është në thelb dhe një nga detyrat e shtetit dhe respektim i detyrimeve të tij si administrator jo vetëm i parave publike, por edhe i taksave.
Nga ana tjetër, unë besoj se në këtë stad që ka arritur biznesi juaj, ju vetë jeni edhe më të interesuar që shteti t'ju garantojë një legjislacion sa më të qartë dhe me shumë transparencë e konkurencë të ndershme.
Ky është një mesazh që është interpretuar qartë nga Qeveria shqiptare dhe unë sot dua t'ju vë në dijeni se brenda pak ditësh do të kalojnë në Kuvend ndryshimet në ligjin "Për Turizmin", me synimin për të zhbllokuar situatën e krijuar prej më se një viti me pasojë ndërprerjen totale të investimeve në turizëm.
Gjithashtu, janë duke u diskutuar dhe do të kalohen në qeveri ndryshimet në ligjin për Urbanistikën që do të zhbllokojë investimet në një sektor po aq të rëndësishëm për ju dhe ekonominë e vendit.
Në fund unë dëshiroj të përgëzoj interesin tuaj për një nga iniciativat më të rëndësishme të Qeverisë shqiptare, por edhe të kombit shqiptar, për ndërtimin e segmentit, korridorit, Durrës – Kukës – Morinë. Ky segment me një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike në nivel rajonal, merr një rëndësi të veçantë dhe për zhvillimin e biznesit tuaj dhe ekspansionin e tij në drejtim të Kosovës dhe anasjelltas. Interesin që ju keni shprehur, unë e konsideroj si një shenjë shumë të dukshme jo thjesht të shtimit të kapaciteteve tuaja investuese në përgjithësi, por dhe si një shenjë se kjo rrugë nuk mund të ndërtohet vetëm me entuziazëm patriotik. Kjo rrugë tashmë është, veç të tjerash, dhe një domosdoshmëri ekonomike.
Dëshiroj të theksoj se po diskutohet nëpër ministri dhe javën tjetër Qeveria do të kalojë projektligjin e taksave nominale për ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës – Morinë. Fondet që do të mblidhen nga këto taksa do të jenë të paprekshme. Unë dëshiroj që t'i përgjigjem, jo vetëm kërkesës, por edhe shqetësimit tuaj, dhe kjo s'është thjesht vetëm deshira ime, këtë e thashë edhe në takim që pata me biznesin, që ndërtimin e kësaj rruge t'ia adresoj firmave shqiptare të ndërtimit. Sepse janë këto firma që në fakt kanë bërë edhe segmente të tjera, por jo me emrin e tyre, por me emrin e një të huaji mbasi kanë qënë si nënkontraktorë. Firmat ndërtuese shqiptare, me cilwsinw që kanë shfaqur, e kanë plotesisht të mundëshme, që kjo rrugë të bëhet plotësisht nga firmat shqiptare të ndërtimit. Unë jam i bindur se kjo do të bëhet.
Ne e kemi llogaritur që vetëm nga mbledhja e taksës, sipas projektligjit të cilin, siç thashë më lart, do të kalojë shumë shpejt në qeveri dhe pastaj në parlament, mund të mblidhen rreth 30-35 milionë dollarë
Ju falenderoj për kontributin që ju mund të ofroni në këtë drejtim dhe shpresoj qe partneriteti ynë të njohë zhvillime të reja.