3-vjetori i PS në Athinë, Leskaj dhe Dervishi të pranishëm
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj dhe deputeti Besnik Dervishi kanë marrë pjesë në takimin me emigrantët shqiptar në Athinë, me rastin e 3-vjetorit të themelimit të degës së PS. Në këtë takim mori pjesë Kryetari i degës së PS në Athinë, Anastas Murati dhe shumë socialistë që ndodhen në Greqi në emigrim.
Gjithashtu Leskaj ka patur edhe një takim me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Pasokut, z. Repas dhe me znj. Repas, ku u diskutua forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit tashmë të konsoliduar midis PSSH dhe Pasokut në Greqi, krijimi i lehtësirave për emigrantët shqiptar. Në kuadrin e bashkëpunimit midis dy partive, u rakordua për të krijuar mundësinë emigrantëve shqiptar për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë edhe vlerësimin e kontributit të emigrantëve shqiptarë anëtarë të PS, njëkohësisht anëtarë edhe të Pasok-ut në Greqi. Kryetarja e Grupit Socialist, Valentina Leskaj, ka patur edhe një takim me Papandreun.Duke iu drejtuar emigrantëve, Leskaj u shpreh se ajo që keni bërë ju në këto vite të migrimit, është shembulli më i shkëlqyer i atdhetarisë dhe modeli i dinjitetit, me punë e qëndrim, keni treguar vlerat, keni mbështetur e rritur imazhin e Shqipërisë. Gjithashtu, Leskaj vijoi duke u shprehur se keni mbajtur ekonominë jo tuajën thjesht personale, jo thjesht familjet tuaja, por ekonominë e vendit, për sa kohë të ardhurat tuaja nga emigracioni zënë një peshë të konsiderueshme në PBB, duke ia kaluar disa degëve të ekonomisë vendase. Duke iu drejtuar emigrantëve, Leskaj theksoi se në 28 qershor, ne së bashku do të fitojmë, miqtë e mi. Ne do të vijmë në pushtet jo se do të bier Sali Berisha, sepse ai dhe qeveria e tij kanë rënë në Gërdec, kur krimi shtetëror hodhi në erë një fshat të tërë. Ne do të vijmë në pushtet sepse jemi alternativë dhe këtë po e provojmë çdo ditë. Ne jemi forcë serioze. Ajo nënvizoi se PS e shqiptarëve të Greqisë, nuk është një numër më shumë në partinë tonë, por është një vlerë më shumë. Ne do të jemi bashkë me ju pas 28 qershorit, për ti ndryshuar jetën Shqipërisë e shqiptarëve, për ta bërë të gjithë bashkë një vend të prosperuar, një vend për të cilin shqiptarët të mos ndiejnë dhimbje e ndrojë, por të jenë krenarë, u shpreh Leskaj.