PD: Rama shembull i keq për kartat
PD ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të PS- së, Edi Rama, se kryeministri Sali Berisha është bërë një kërcenim për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në një prononcim për mediat, zëdhënësi i PD- së, Gerti Bogdani ka deklaruar se Rama po jep një shembull të keq në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.
Thirrjes së kryeministrit të vendit për të bërë aplikimet e letërnjoftimeve, për tu dhënë shqiptarëve mundësinë për të pasur modelin më modern të kartave në Evropë, zoti Rama ka treguar se nuk ka ndërmend ti përgjigjet, ka pohuar Bogdani. Ndërkohë, në deklaratën e tij, lideri i opozitës i ka kërkuar edhe një herë kryeministrit ta shikojë me seriozitet propozimin e socialistëve për pajisjen me karta falas të shtetasve, që nuk kanë mundësi ta blejnë atë. Sipas tij, nëse kryeministri vijon të mos marrë parasysh kërkesat e socialistëve për letërnjoftimet, sipas Ramës zgjedhjet e 28 qershorit janë në rrezik dështimi. Përgjegjësia për këtë do të jetë, sipas tij, vetëm e kryeministrit dhe qeverisë së tij.