E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha falenderon PNUD për mbështetjen e projekteve

Kryeministri Berisha duke u shprehur i vetëdijshëm se rruga për integrim në BE është e gjatë, nënvizoi se angazhimi i qeverisë do të jetë maksimal në reforma, për të qenë sa më shpejt pjesë e familjes evropiane. "Ne do të vijojmë më tej me këto reforma për ta merituar anëtarësimin në NATO dhe përafrimin me BE-në", garantoi kreu i qeverisë. I pranishëm në punimet e takimit vjetor të përfaqësuesve rezidentë të PNUD-it, nga Rajoni i Evropës dhe Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, kryeministri Berisha  duke vlerësuar përzgjedhjen e Shqipërisë mes 8 vendeve që po aplikojnë për projektin pilot  "Një OKB", shprehu bindjen se ai do të jetë i frytshëm dhe njëkohësisht u angazhua për suksesin e tij. Berisha nënvizoi se PNUD-i ka luajtur një rol të rëndësishëm në asistimin dhe ndihmën e dhënë duke e zgjedhur Shqipërinë si vend pilot për projektet e tij, në rajon. Berisha tha se kjo është mjaft e rëndësishme në rrugën e vendit tonë drejt BE-së. Shumë shpejt do ti marrim seriozisht përpjekjet për plotësimin e kritereve. Por, edhe programi i Një OKB është shumë i rëndësishëm dhe ne jemi të privilegjuar për tu zgjedhur vend pilot për programin Një OKB. Kjo është mundësi e madhe dhe një ndihmë e madhe në kuadër të përgatitjeve tona për procesin e integrimit. Integrimi do të thotë kursim në kohë dhe koordinimi më i mirë do të thotë kursim parash, u shpreh kryeministri. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, ai ka bërë një ekspoze të projekteve të përbashkëta me PNUD-in, duke vënë në dukje rezultatet mjaft pozitive. Kryeministri vuri në dukje projektet me këtë organizatë të Kombeve të Bashkuara, siç janë shtrirja e internetit në të gjitha shkollat e vendit, programi "Brain Gain", turizmi kulturor, extra- legaliteti etj. Brain Gain është një projekt shumë i rëndësishëm, vendimtar dhe jetësor për vendin ku përmes tij ftojmë çdo të njeri të famshëm shqiptar, kudo që është, të vijë përkohësisht ose përfundimisht për të kontribuar në Shqipëri. Vendi ka nevojë për njerëz të shkolluar në perëndim dhe kjo është mënyra më e mirë për ti tërhequr dhe për ti mbajtur ata, theksoi ndër të tjera kreu i qeverisë. Gjithashtu, ai e vuri theksin edhe tek lufta pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, që mbeten prioritet i qeverisë. Në këtë kuadër prokurimet në të gjithë vendin janë elektronike dhe po ashtu ka nisur dhe mbledhja e taksave elektronike", tha kreu i qeverisë, duke veçuar rritjen e investimeve të huaja gjatë katër viteve të fundit, që janë konkretizuar me firmosjen e kontratave që llogariten në miliarda euro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›