E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha, humb me nder dhe largohu me dinjitet

Qeveria korrupsion në kurriz të qytetarëve të varfër
Kreu i opozitës, Edi Rama për të disatën herë ka vijuar thirrjet e tij në adresë të qeverisë, lidhur me realizimin e  shpërndarjeve të kartave të identitetit falas për një kategori të caktuar qytetarësh, të cilët nuk kanë mundësi ekonomike. Rama i bëri apel Berishës të dëgjojë sa nuk është vonë dhe të veprojë sa jemi ende në kohë, për ti shpëtuar zgjedhjet, duke u dhënë kartat e identitetit falas të gjithë zgjedhësve që nuk kanë pasaportë. Në kundërpërgjigje të Berishës, Rama u shpreh se ai duhet ti lërë shakatë banale, duke e ftuar të shkojë të marrë bashkë me të kartën, për të sensibilizuar njerëzit. Mos u hiq shqiptarëve që nuk janë me ty, të drejtën për të votuar. Mos e fut Shqipërinë në një tjetër rrugë pa krye për të shmangur përfundimin e pashmangshëm të rrugës tënde në 28 qershor. Mos u mundo të ndalosh kohën që ka ardhur me mjete të kohës që ka ikur, u shpreh Rama. Duke iu drejtuar kryeministrit Berisha, Rama u shpreh se është koha të bësh atë që kurrë nuk e bëre dot qysh pas 22 marsit 1992. Të humbasësh me nder dhe të largohesh me dinjitet. Ai theksoi se kryeministri Berisha duhet ta shohë propozimin e opozitës me sytë e njeriut që ka detyrën kushtetuese, të garantojë krejt infrastrukturën dhe standardet zgjedhore dhe ta kuptojë si mundësinë e vetme për shpëtimin e një procesi që sot është seriozisht i kompromentuar, për shkak të atij e të vetë atyre që e rrethojnë. Në adresë të Berishës, Rama tha se atë që bëri me të pafajshmit e shkretë të Gërdecit, nuk mund ta bëjë me elektoratin shqiptar. Gjithashtu, tha Rama atë që bëri me fishekët e trafikuar jashtë kontratës me partnerin tonë të madh strategjik, nuk mund ta bëjë me kartat e identitetit. Atë që bëri në 26 maj të vitit 1996 me zgjedhjet e me partitë e opozitës, nuk mund ta bëjë në 28 qershorin e ardhshëm, vijoi Rama. Kryesocialisti Rama tha se Berisha,  duke folur për 22 Marsin 1992, ditën e shprehjes së fuqishme të vullnetit të popullit shqiptar për tu ndarë nga e shkuara komuniste, na kujtoi se ka mbetur ish-komunisti i fundit në pushtet në gjithë Evropën. Qysh prej 22 Marsit 1992, shqiptarët e shqiptaret nuk po bëjnë dot zgjedhje të denja për një vend evropian, u shpreh Rama, duke vijuar se edhe pas 97 ditësh një palë zgjedhje të tjera janë seriozisht në rrezik, pikërisht sepse njeriu që 17 vjet të shkuara u zgjodh për të na garantuar këtë, sot e gjithë ditën mbetet kërcënimi kryesor i zgjedhjeve në krye të një koalicioni bashkëfajtorësh, për shumë të këqija e mbi të gjitha për një tragjedi të pashembullt, ku shteti bombardoi, vrau, plagosi e shkatërroi qytetarët e vet. Ai deklaroi se Berisha, në krye të koalicionit të Gërdecit, kërkon të mbajë me çdo kusht pushtetin e të ndalojë me çdo kusht drejtësinë dhe për këtë është gati të luajë me zgjedhjet e me zjarrin, duke vazhduar të provokojë opozitën më qytetare e më të përgjegjshme që ky vend ka pasur ndonjëherë. Gjithashtu, sipas Ramës, duke vazhduar të minojë të drejtën kushtetuese të çdo qytetari për të votuar, pavarësisht nëse varfëria nuk i lejon të blejë kartën e identitetit, dhe duke vazhduar të bëjë lojëra bajate fjalësh, kur kërkohet vendimmarrje e shpejtë për të shpëtuar zgjedhjet dhe nderin e Shqipërisë. Rama i bëri thirrje Berishës se duhet ta heq nga mendja, se mund të bëjë në 28 qershor me shqiptarët e varfër që nuk blejnë dot kartën e identitetit, atë që bëjnë regjimet e korruptuara të vendeve të botës së tretë, ku prodhimi i kartave të reja është mënyra më e rëndomtë për të grabitur zgjedhjet përmes blerjes së kartave për të varfrit që mbështetin qeverinë dhe lënies pa kartë të varfërve, që janë mbështetës të opozitës. Kreu i PS, Rama vuri në dukje vendimin e qeverisë, ku thuhet se deri në zgjedhje u duhet të lënë radhë zgjedhësve pa pasaportë të aplikojnë dhe sportelet e aplikimit aktualisht duhet tu shërbejnë zgjedhësve pa pasaportë që mund të votojnë në 28 qershor e jo politikanëve shqiptar që mund ta japin gjetkë shfaqjen e tyre të shqetësimit për këtë proces.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›