Idrizi: Ne nuk e quajmë humbje mos bërjen koalicion me PDI
Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Shpëtim Idrizi, ka deklaruar se nuk kanë përse socialistë ta cilësojnë si humbje mos bërjen koalicion me PDI. Sipas tij nuk ka rëndësi se sa mandate ka marrë deri tani PDI, pasi socialistët nuk do të varen nga këto mandate, ku sipas tij ka edhe disa kuti të tjera votimi të cilat do të bëjnë diferencën në këto zgjedhje.
Ndërsa theksoi se do të vazhdojë që të mbështesë dhe të përkrahë të drejtat e çamëve pavarësisht se cilin kah politik do të përfaqësojë PDI në parlamentin e ardhshëm sipas tij çështja çame ju përket të gjithë shqiptarëve dhe të gjitha partive politike dhe nuk duhen bërë ndarje në lidhje me këtë faktor. "Unë do të luftoj për çështjen çame pavarësisht se në cilin kah politik është forca politike që e përfaqëson komunitetin çam dhe që fatmirësisht tani do të jetë edhe në parlament", u shpreh Idrizi. Ndërkohë që deklaroi se procesi i numërimit të votave në KZAZ-të e Vlorës nuk ka kaluar pa incidente. Sipas Idrizit procesi i numërimit të votave nuk ka qenë ai që prita pasi herë pas here ka patur ndërhyrje në këtë proces nga persona të cilët nuk kanë patur mandatin e vëzhguesit, dhe për këtë arsye ky proces është ndërprerë disa herë duke mos lejuar që të përfundohet në kohë numërimi i të gjitha kutive të votimit.