E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kris Braun përgënjeshtron mediat: “Gjithçka që thuhet për mua është false”



Fillimisht një ndër adoleshentët më të njohur në botën e muzikës, tashmë i izoluar nga të gjithë. Askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me të pas masakrimit që i bëri të fejuarës Rihana. Megjithatë, artisti deklaroi në një komunikatë për shtyp: “Ajo që thonë për mua është false. Po përpiqem të jem një person më i mirë me ndihmën e Zotit”. Kjo komunikatë nuk përmban asnjë detaj në lidhje me të fejuarën që rrahu disa ditë më parë. “Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur se sa keq më vjen për gjithçka që kanë spekuluar mediat”, - thuhet në deklaratën për shtyp. “Në këtë moment po marr ndihmën e një prifti, të nënës sime dhe të familjarëve të tjerë. Po impenjohem që me ndihmën e Zotit të jem një person më i mirë. Gjithçka që është thënë nga mediat rezulton të jetë krejtësisht e gabuar. Do të doja të isha në gjendje të shpjegoja atë që ka ndodhur realisht dhe do ta bëj sapo çështjet ligjore të zgjidhen përfundimisht. Ajo që mund të them për momentin është se çdo gjë që keni lexuar është absolutisht e pavërtetë dhe false”.
Vihet re në këtë rast se artisti as që e ka përmendur të fejuarën. Ndërkohë, i ati, gjatë ditëve të fundit ka bërë të ditur se djali i tij është shumë i penduar, por ka theksuar gjithashtu se ekzistojnë dy rrëfime për çdo ndodhi, duke lënë të kuptohet se gjërat mund të jenë shumë më të ndërlikuara sesa janë treguar.
Rihana, nga ana e saj, ka anuluar të gjitha impenjimet që kanë të bëjnë me profesionin e saj, pasi është e tronditur për atë që ka ndodhur. Madje ajo ka vendosur t’i japë fund lidhjes me Kris Braun. Sipas disa mediave, këngëtarja kishte ndër mend të pajtohej me të pas incidentit të ndodhur, por ndërroi mendim pasi e diskutoi këtë problem më familjarët dhe miqtë më të afërt. Një burim i afërt me të është shprehur: “Rihana mendonte se Kris ishte dashuria e jetës së saj. Sapo dyshja filloi të vinte në diskutim lidhjen, gjërat duket se ndryshuan. Ajo megjithatë nuk bindet se gjithçka mbaroi me kaq”.

17 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›