E Diel, 1 Nëntor 2026

Kursimet në lekë të shqiptarëve po humbasin vlerë dita-ditës

Flet dr. Gjergji Filipi, drejtor Kërkimesh pranë institutit “Agenda”

Zhvlerësimi i monedhës tonë përballë valutave po shkakton humbje në depozitat në lekë të shqiptarëve. Ky përcaktim është bërë nga dr. Gjergji Filipi, i cili ka komentuar në forumin e gazetës “Albania” – “Kriza financiare, - sa të rrezikuar jemi”, pasojat e krizës te qytetarët dhe sipërmarrja private. Ai thotë se edhe paga mujore në lekë tashmë nuk ka vlerën e disa javëve apo muajve më parë. Drejtori i Kërkimeve të institutit “Agenda” është shprehur tejet kritik për sjelljen e qeverisë shqiptare. “Nuk bëhet fjalë për reagim për sa kohë që qeveria ‘nuk e ka marrë vesh’ ende që jemi në krizë”, - thotë Filipi. Madje ai shprehet tejet kritik për hartimin e politikave ekonomike dhe financiare nga qeveria në lidhje me situatën që po kalon e gjithë bota, ku edhe një vend si Shqipëria është prekur dhe pritet të ketë pasoja gjithnjë e më të mëdha në muajt në vazhdim.

A ndodhet Shqipëria përballë një krize ekonomike? A parashikoni që ekonomia shqiptare të bjerë në recesion?

Shqipëria, sikurse e gjithë ekonomia globale në të cilën, me të drejtë ngurruam të bëjmë pjesë, ndodhet përballë një krize financiare dhe ekonomike. Besoj se publikimi i njëpasnjëshëm i treguesve të ndryshëm financiarë e ekonomikë, veçanërisht i atyre mbi tremujorin e fundit të vitit që lamë pas, po e konfirmon qartë një fakt të tillë. Sa i takon aspektit financiar të këtyre goditjeve ekonomike shokuese, gjykoj se sistemi bankar shqiptar “ia hodhi paq”. Kjo kryesisht për faktin se prapambetja e tregjeve financiare vendase në këtë rast ishte në favorin tonë. Ndërsa sa i përket shokimit ekonomik që vijon menjëherë pas, mendoj se, për fat të keq, do të vazhdojmë të zbulojmë shifra alarmante lidhur me thellësinë e këtyre dëmeve në ekonominë tonë kombëtare. Një gjë është e sigurt; se Shqipëria, sado optimistë apo injorantë t’i ketë politikëbërësit apo pseudoanalistët ekonomikë, e ka të pamundur të dalë nga një situatë e tillë pa u ndikuar nga tkurrja ekonomike. Është naive tanimë t’i rikthehemi diskutimit për rritjet dyshifrore, absolutisht të pamundura, por, më mirë të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të parashohim shifra të llojit të mbi apo nën 3 për qind rritje vjetore për vitin në vijim.
Personalisht mendoj se kriza globale thjesht nxjerr në pah keqpolitikëbërjen ekonomike në vend, më shumë sesa mund të fajësohet si e vetmja arsye e dështimit në këtë lëmë. Vitet e fundit patëm një vetëkënaqësi të verbër nga rritja artificiale e eksporteve, kryesisht ndikuar nga rritja e çmimeve në tregjet globale. Gjithashtu, fluturuam të deklarojmë se taksa e sheshtë ishte Asi nën mëngë për të thithur pafundësinë e investimeve të huaja, që nuk erdhën kurrë. Inflacionin e para një a dy vitesh e interpretuam si gabim në matje për shkak të përbërjes së shportës së konsumit. Rritjen e deklarimit të outputit, për shkak të gjithfarë listash reference, e “hëngrëm” si rritje të produktivitetit kombëtar, ndonëse faktorët realë të rritjes nuk po dukeshin gjëkundi. Kjo listë mund të vazhdojë gjatë, por synimi i këtij argumenti është konkludimi se kriza globale vetëm sa na ndihmon të kuptojmë fraxhilitetin e ekonomisë vendase, i cili është ushqyer, kryesisht nga dritëshkurtësia shqiptare në hartimin e politikave ekonomike. Ky fenomen acarohet edhe me tej kur në vend që të përgatitemi për amortizimin e këtij shoku ekonomik të paevitueshëm tashmë, humbasim kohë të vyer duke deklaruar se ekonomia shqiptare qëndron si “shkëmb graniti” përballë kërcënimeve globale.
Sa i përket recesionit, besoj se nuk i jemi afruar ende dhe shpresoj që t’i qëndrojmë larg. Por, për këtë, duhet të reagojmë sa me shpejt, me politika lehtësuese, madje edhe mbështetëse, për biznesin vendas, e kryesisht atë eksportues. Gjithashtu, ëndrrat në diell se gropën e deficitit tregtar do ta “stukojmë” me eksport energjie elektrike, duhet që, në emër të patriotizmit, ta lëmë mënjanë për këtë fushatë.

Si e vlerësoni reagimin e qeverisë ndaj krizës?

Inekzistent. Nuk bëhet fjalë për reagim për sa kohë që qeveria “nuk e ka marrë vesh” ende që jemi në krizë. Situata është më keq sesa kaq për sa kohë që po merren vendime, të cilat bëjnë kuptim vetëm në kushtet e një ekonomie të shëndetshme. Për shembull, para pak javësh u vendos të rritet akciza e naftës, si mënyrë për të kompensuar rënien e të ardhurave fiskale nga burime të tjera. Kjo rritje do të rëndojë automatikisht mbi xhepin e konsumatorëve, jo vetëm të atyre që blejnë karburant, por të të gjithë konsumatorëve shqiptarë për sa kohë që kjo akcizë do të ndikojë në rritjen e kostove të transportit, të cilat, nga ana e tyre, janë prezente në përbërje të shumicës së produkteve. Edhe përpara marrjes së një mase të tillë, konsumatorët shqiptare e blinin karburantin më shtrenjtë sesa fqinjët, për shkak të mosfunksionimit të konkurrencës së këtij tregu. Është e vështirë të gjendet një shpjegim analitik në kushte krize ekonomike për një masë të tillë, aq më shumë që ajo vjen menjëherë pas lajthitjes për të monopolizuar me dashje tregun e D 2-shit, apo të naftës diezel të thjeshtë, siç njihet ndryshe.

Cilat janë pasojat e pritshme të krizës ekonomike mbi biznesin dhe individët në Shqipëri?

Biznesi eksportues goditet i pari. Në radhë të parë për shkak të tkurrjes së kërkesës në tregjet ku ai shet; dhe në radhë të dytë, për shkak të humbjes së avantazheve konkurruese karshi bizneseve të vendeve fqinjë, për shkak të mungesës së skemave mbështetëse. Në këtë kuadër, bizneset eksportuese duhen jo vetëm lehtësuar nga barrat e paarsyeshme të tipit të “listave të referencës”, por ato duhen mbështetur drejtpërsëdrejti, pse jo, edhe nëpërmjet subvencioneve. Ndonëse jam mbështetës i liberalizmit ekonomik, këtë të fundit e sugjeroj vetëm për kushtet aktuale të krizës. Vendet fqinje po e bëjnë një gjë të tillë, dhe sa më shumë kohë humbasim duke evituar të pranojmë krizën, aq më shumë e vështirësojmë riparimin e një situate të tillë.
Sa u përket individëve, dëmet e para po ndjehen. Kursimet e shqiptarëve po humbasin vlerë dita-ditës nëse ato janë ruajtur në monedhën vendase. Çmimet e produkteve të importit do të fillojnë të shtrenjtohen për sa kohë blihen me valutë, ndërsa pagat mujore në lekë humbasin njësoj vlerë sikurse kursimet kur vjen fjala për konsumin e produkteve prej importit. Ndonëse çmimet e produkteve të importuara kanë rënë në vendet të cilat janë prekur tashmë prej krizës, në tregun vendas ato vijnë artificialisht më të shtrenjta për shkak të listave të referencës që zbatohen nga doganat shqiptare.

Forumi në “Albania”: “Kriza financiare, sa të rrezikuar jemi”

Gazeta “Albania” ka hapur forumin me temë “Kriza financiare, sa të rrezikuar jemi”. Organizatorët e debatit ftojnë të marrin pjesë në diskutime ekspertët e çështjeve ekonomike, profesorët e fakulteteve ekonomike në universitetet publike dhe private, analistët, aktivistët nëpër organizata joqeveritare që merren me zhvillimet ekonomike, si dhe politikanë apo zyrtarë të përfshirë në politikat ekonomike të vendit. Temat e shtruara për diskutim janë:
-A ndodhet Shqipëria përballë një krize ekonomike? A parashikoni që ekonomia shqiptare të bjerë në recesion?
-Si i vlerësoni masat e marra nga qeveria?
-Cilat do të jenë pasojat e krizës ekonomike mbi biznesin dhe individët në Shqipëri?
Për çdo koment, ide apo sugjerim, ju mund të na shkruani në adresën e e-mailit: albertgjoka@yahoo.com, ose na telefononi në Nr. Tel. 00355 42229243

17 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›