30 lejet e bashkisë, Bumçi: Janë antiligjore
Bashkia e Tiranës miratoi 30 leje ndërtimi brenda një dite, kur administrata ishte pushim nga festa kombëtare e bektashinjve. Partia Demokratike reagoi dje duke e cilësuar këtë veprim të KRRT-së së Tiranës të drejtuar nga kryetari i bashkisë, Edi Rama, si një mega-korrupsion. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, deklaroi dje se 30 lejet e dhëna janë në kundërshtim me ligjet e vendit, pasi është mbledhur një institucion në ditë pushimi zyrtar. Sipas tij, thyerja e ligjit në formë të hapur ka ardhur për shkak të korrupsionit me lejet e ndërtimit. Ai lëshoi akuza të ashpra, duke akuzuar Ramën se ka përfituar shuma financiare për lejet e dhëna. “Edi Rama zgjodhi ditën e festës zyrtare, në kundërshtim me të gjitha ligjet e vendit, për të mbledhur KRRT-në e tij dhe për të dhënë 30 leje ndërtimi, me të cilat ai përfiton në varësi të vendit të ndërtimit nga 100 mijë euro deri në dy kate ndërtim”, - deklaroi Bumçi.
Reagimi pas deklaratave të Bumçit erdhi nga numri dy i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi. Ai tha se bashkia është e gatshme të punojë edhe në ditë pushimi zyrtar, pa dhënë ndonjë përgjigje për thyerjen e ligjit që përmendi PD-ja në akuzat publike. “Bashkia e Tiranës punon dhe në ditë feste, ndërkohë që Berisha shan dhe shpif”, - tha Shalsi.
Deputeti i PD-së, Bumçi, vazhdoi më tej akuzat në emër të PD-së, duke u bërë thirrje edhe ndërtuesve të mos bëhen palë e korrupsionit. Ai bëri thirrje që Rama të ktheje prapa, sipas tij, kaparin që ka marrë nga ndërtuesit. “Grupi parlamentar i PD-së dënon këtë akt amoral e të paligjshëm, si një mega-korrupsion të z. Rama, si dhe informon ndërtuesit, të cilët kanë marrë këto leje, se praktika e ditës së festës nuk do të pranohet nga kjo shumicë qeverisëse, ndaj do t'i kërkojnë z. Rama që t'u kthejë mbrapsht kaparin dhe ryshfetin që i kanë dhënë ditën e djeshme”, - tha deputeti i PD-së. Ai vazhdoi më tej, duke thënë se kjo është politika e Ramës, sipas tij, një politikë ryshfeti. Bumçi kërkoi nga Rama që të dorëzojë planin rregullues të qytetit. Deputeti tha se arsyeja e mosdorëzimit të planit ka të bëjë me përdorimin e territorit në mënyrë të pakontrolluar. “Me këtë veprim Edi Rama faktoi edhe një herë se politika e re është politikë e ryshfetit; me këtë veprim ai u kërkoi qytetarëve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë se pse ai nuk e dorëzon planin rregullues të Tiranës”, - tha Bumçi.