Bogdani: Rama, shembulli negativ
Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, u është përgjigjur dje akuzave të kreut të PS-së, Edi Rama, për procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime të reja. Ai tha se deklarata e Ramës për Kryeministrin Berisha është shembull i politikës negative të kreut të PS-së. Gerti Bogdani shtoi se Rama po një shembullin më të keq, duke mos nxitur qytetarët të shkojnë të bëjnë aplikimet për kartat moderne të identitetit. “Thirrjes se Kryeministrit të vendit për të bërë aplikimet e letërnjoftimeve, për t’u dhënë shqiptarëve mundësinë për të pasur modelin më modern të kartave në Evropë, zoti Rama ka treguar se nuk ka ndërmend t’i përgjigjet”, - tha Bogdani.
Legjislacioni evropian, OSBE-ja, ndihmë Kuvendit
Biblioteka dhe Shërbimi Shkencor i Kuvendit të Shqipërisë pasurohet me dhjetëra botime për legjislacionin dhe historinë e Bashkimit Evropian, një dhuratë nga misioni i OSBE-së. Kjo paketë librash për të drejtën parlamentare, legjislacionin e BE-së, historinë e BE-së, të drejtën evropiane, të autorëve më në zë të këtyre fushave, Bibliotekës dhe Kërkimit Shkencor të Kuvendit të Shqipërisë iu dhurua dje. Kryetarja e Kuvendit falënderoi ambasadorin e OSBE-së dhe atë holandez për bashkëpunimin në forcimin e kapaciteteve të administratës dhe shërbimeve në Bibliotekën dhe Arkivin e Kuvendit. “Vazhdimi i këtij projekti me pajisjen e Bibliotekës së Kuvendit me botimet më të fundit në fushën e legjislacionit, do të ndikojë edhe më tej në rritjen e cilësisë së ligjeve dhe efektshmërinë e punës së deputetëve dhe të stafit mbështetës të Kuvendit”, - tha Topalli.