Mosmarrëveshjet, drafti për median, në dyert e BE-së
PD-ja dhe PS-ja nuk bien dakord për nene të rëndësishme të draftit të ri për median. Kërkohet ndihmë nga BE-ja
TIRANË- Projektligji "Për transmetimet me zë dhe figurë", që tenton të rregullojë marrëdhëniet në fushën e mediave elektronike, ka mbërritur në dyert e Bashkimit Europian.
Në mungesë të një konsensusi mes palëve politike dhe grupeve të interesit, Komisioni Parlamentar për Mjetet e Informimit është detyruar që të kërkojë ekspertizën ndërkombëtare të Komitetit Europian. Për këtë arsye, ata ia kanë nisur projektin zyrës së Komisionit Europian në Tiranë, duke kërkuar ndihmën e ekspertëve të BE-së, për të dhënë vlerësimet mbi të dhe për të bërë përmirësimet përkatëse në pikat që ata do të shohin të arsyeshme.
Kjo ka bërë që komisioni të shtyjë dhe një herë diskutimin e këtij drafti, duke shkelur edhe afatet kohore që përcakton strategjia e planit të veprimit, për organizimin dhe funksionimin për të gjithë aktorët, që veprojnë në këtë fushë. Ndërkohë, burime pranë Komisionit të Medias kanë bërë të ditur se pikat, që ndajnë palët, vijojnë të mbeten ato që kanë të bëjnë me varësinë që duhet të ketë KKRT-ja, Këshilli Kombëtar i Transmetimeve (KKT), siç propozohet të quhet në draftin e ri.
Kështu, opozita ka kundërshtuar fort që në fillim pikën që sanksionon varësinë direkte të KKT-së nga ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve. Kjo bëri që mazhoranca të heqë dorë nga tentativa e saj për të kontrolluar në mënyrë ligjore këtë këshill, duke ndryshuar pikën dy të nenit 4 të këtij projektligji, sipas së cilës, sanksionohej se "KKT-ja ushtron veprimtarinë e vet në përputhje me këtë ligj, nën mbikëqyrjen e Kuvendit dhe në bashkëpunim me ministrin dhe AKEP-in" dhe duke e lënë, "KKT-ja ushtron veprimtarinë e vet në zbatim dhe përputhje të këtij ligji".
Por, duket se ky ndryshim ka krijuar probleme të tjera në komplet projektligjin, pasi lë pa një varësi dhe pa një institucion ku të japë llogaridhënie për veprimet e saj operative këtë këshill.
Ndërkohë, ky kujdes që është treguar për këtë nen, nuk është treguar për nene të tjerë, ku përsëri ky institucion, pra KKT-ja, vihet në kushtet e varësisë indirekte nga qeveria, pasi nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e saj të pavarur, pa pëlqimin e ministrit dhe as mund të marrë kredi, po pa lejen e tij. Prandaj, edhe për këto nene të tjerë, opozita ka kundërshtuar draftin dhe nuk ka pranuar që të nisë për të, debati në komision.
Projekti i paraqitur përmban dhe një sërë nenesh të tjerë të debatueshëm, ku më kryesori dhe ku palët nuk kanë arritur ende të gjejnë konsensusin, është neni 5, që ka të bëjë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KKT-së.
Demokratët propozojnë që kandidatët për t'u zgjedhur anëtarë të KKTZF -së zgjidhen nga radhët e personaliteteve në fushat e medias, drejtësisë, shkencës, kulturës, zhvillimit teknologjik apo mjedisit, por duke ia lënë Kuvendit që të vendosë me votë për secilin prej kandidatëve, duke tentuar kështu që të jetë shumica parlamentare ajo që duhet të vendosë për të gjithë anëtarët e këtij këshilli.
Ndërkohë, socialistët propozojnë që anëtarët të zgjidhen nga fushat e ndryshme, por duke i lënë secilës prej forcave kryesore që të zgjedhë nga dy anëtarë, ndërsa i pesti të zgjidhet nga Presidenti.