E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalendari, ndarja e legalizimeve në 6 rrethe



Agjencia e Legalizimeve ka bërë të ditur kalendarin e ndarjes së lejeve në rrethe. Kështu, nesër nis ndarja e lejeve në orën 10 në qytetin e Lushnjes dhe më pas në orën 12 në qytetin e Beratit. Lejet do të vazhdojnë përgjatë gjithë javës në ditët në vijim. Ditën e enjte do të ndahen lejet në Tiranë, më pas, ditën e premte do të ndahen në qytetin e Pogradecit dhe të Korçës. Të shtunën lejet do të ndahen në qytetin e Durrësit. Në grafikun e publikuar nga ALUIZNI, bëhet i ditur edhe orari i ndarjes së lejeve.

Gjatë javës së kaluar ALUIZNI shpërndahu lejet e legalizimit në disa nga qarqet kryesore të vendit. Në qarkun Vlorë dhe Bashkinë Sarandë, në qarkun Gjirokastër dhe Bashkitë Gjirokastër, Përmet e Tepelenë, si dhe në qarkun Lezhë. Në të gjitha takimet e organizuara ka marrë pjesë drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, si dhe shumë deputetë dhe drejtues të pushtetit vendor.

Memia në këto takime ka theksuar se informaliteti është një tumor për ekonomitë familjare dhe ekonominë e vendit. Reforma e ndërmarrë nga qeveria po e nxjerr vendin nga informaliteti dhe po i shton ekonomisë shqiptare miliona dollarë pasuri të paluajtshme të cilat tashmë janë pjesë e tregut. Procesi i legalizimeve po i jep fund mbajtjes peng të mijëra ekonomive familjare, duke dhënë zgjidhje jo vetëm për to, por edhe për ekonominë dhe zhvillimin urban të qyteteve. “Procesi ka ecur me ritme të shpejta dhe tashmë rreth 80% e punës është kryer nga administrata, por janë qytetarët ata që tani duhet të shkojnë të shlyejnë detyrimet sipas ligjeve dhe të pajisën me lejet e legalizimit”, - është shprehur Memia. Gjithashtu në qarkun e Lezhës u theksua edhe regjistrimi në ZRRPP-në e këtij qarku të pronave, për 110 objekte informale të legalizuara nga ALUIZNI, pra një hap i rëndësishëm në këtë proces, si pjesë e përmbylljes të të gjithë hapave ligjorë. Aktualisht, në mbarë vendin janë në proces përpunimi 134 341 dosje objektesh informale, ndërkohë që ka përfunduar përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pritet të legalizohen afro 12 297 objekte informale, të cilat gjenden në fazën përfundimtare të likuidimit të detyrimeve financiare nga qytetarët.

ALUIZNI ka përmbyllur plotësimin e dosjeve dhe ka gati për pajisje me leje legalizimi 4 504 objekte, për të cilat qytetarët kanë shlyer detyrimet financiare. Legalizimi i këtyre pasurive informale do të pasohet nga procesi i regjistrimit të tyre në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në funksion të përfshirjes së tyre në sistemin kombëtar të regjistrimit dhe pajisjes me tituj pronësie, brenda afateve të parashikuara në kuadrin ligjor. Miratimi i kalendarit të aktiviteteve për shpërndarjen e lejeve të legalizimit paraprihet nga një program masash për organizimin e aktiviteteve me këtë tematikë, në çdo qark të vendit, duke filluar nga dita e sotme deri në fund të javës së parë të muajit prill. Drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t kanë plotësuar dokumentacionin e dosjeve të legalizimit për çdo objekt informal, si dhe kanë njoftuar qytetarët për shpërndarjen e lejeve të legalizimit sipas afateve të fiksuara në këtë kalendar.

KALENDARI I AKTIVITEVE PËR SHPËRNDARJEN E LEJEVE TË LEGALIZIMIT PËR JAVËN NË VAZHDIM

DT. AKTIVITETIT DITA ORARI QARKU/RRETHI

24.03.2009

E Martë 10.00

12.00 Lushnje

Berat

26.03.2009 E Enjte 11.00 Tiranë

27.03.2009

E Premte 11.00

13.30 Korçë

Pogradec

28.03.2009 E Shtune 11.00 Durrës

Kredi me interes zero për të paguar tarifat e legalizimit

Kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia, ka bërë të ditur se çdokush që nuk ka mundësi të paguajë tarifën e legalizimit të ndërtimit pa leje, mund të marrë kredi me ndërmjetësimin e ALUIZNI-t me interes zero. Ai është shprehur se Agjencia do të nisë bashkëpunimin me një kompani për realizimin e këtij projekti. Memia tha gjithashtu se pr qytetarët që do t’i shlyejnë në kohë detyrimet financiare, do të ketë një ulje prej 20 për qind të shumës. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të shlyejnë sa më shpejt detyrimet financiare, në mënyrë që t’i jepet mundësi kësaj agjencie të kryejë në kohë kompensimin e ish-pronarëve. Sipas kalendarit të bërë publik nga ALUIZNI, brenda këtij muaji do të vazhdojë shpërndaja e certifikatave të pronësisë në shumë qytete kryesore. Tarifat e legalizimit janë përcaktuar në ligj. Nëpërmjet bankës do të paguhen të gjitha shumat që kërkon ligji për legalizimin e objekteve pa leje. Ligji parashikon pagimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë si dhe tarifat për metër katrorë që përcakton ligji i legalizimeve. Në ligjin për legalizimet janë përcaktuar edhe çmimet përkatëse, të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë të reja. Këto çmime konsiderohen sociale. Ligji ka përcaktuar edhe çmimet e përfundimit të këtij procesi, sipas sipërfaqes dhe zonave informale përkatëse. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë shkon deri në 100 mijë lekë. Ndërkohë, për sipërfaqe deri në 500 metra katrorë shuma që duhet paguar është 400 mijë lekë të reja. Për parcela ndërtimore brenda vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe toke deri në 100 metra katrorë varion deri në 200 mijë lekë, ndërsa deri në 300 metra katrorë është 400 mijë lekë të reja. Në lidhje me shtesat, çmimi për sipërfaqe deri në 50 metra katrorë është 100 mijë lekë të reja dhe maksimalja për 100 metra, është 400 mijë lekë të reja. Njëkohësisht, do të ketë disa taksa të tjera, si ajo e ndikimit në infrastrukturë apo tarifat e tjera për formularët e legalizimit. Qeveria ka miratuar edhe tarifat shtesë që do të vendosen për legalizimin. Qytetarët do të paguajnë vetëm nga 4 mijë lekë të reja për të gjithë dokumentacionin dhe kjo është tarifa që do të paguajë qytetari për shërbimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›