Kreu i qeverisë vlerëson projektet e PNUD-it
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në takimin vjetor të përfaqësuesve rezidentë të PNUD-it, nga rajoni i Evropës dhe Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Ai vlerësoi të gjitha projektet e realizuara nga kjo agjenci e OKB-së në vendin tonë sidomos atë e-schools që ka të bëjë me teknologjinë në arsim. “Bashkëpunimi i Shqipërisë me PNUD-in është një bashkëpunim i gjatë dhe i frytshëm, një bashkëpunim 19-vjeçar, që është shtrirë në dhjetëra dhe qindra projekte, efektet e cilave janë shumë të rëndësishme dhe po e transformojnë Shqipërinë nga vendi më i izoluar në botë në një vend anëtar të NATO-s”, - tha Kryeministri. Duke folur për projektin e-schools Berisha tha: “Vendi im kishte penetrimin më të ulët të teknologjisë se informacionit në botë, rreth 4.8%. Nëpërmjet këtij projekti, në vitin 2007 kemi arritur të jemi vendi me rritjen më të shpejtë në Evropë për penetrimin e teknologjisë së informacionit. Në çdo shkollë shqiptare do të ketë internet dhe laboratorë kompjuteri”. Ndërkohë, ai vlerësoi se një projekt i dytë, shumë i madh ishte “Brain Gain”. “Siç e shihni, ky është një vend me rrjedhje truri centriste ku ka më shumë njerëz jashtë Shqipërisë sesa brenda. Prandaj, vendosëm që me këtë projekt të ftojmë çdo njeri të shquar shqiptar, kudo që është, që të vijë përkohësisht ose përfundimisht për të kontribuar në Shqipëri”, - tha ai. Gjithashtu, kreu i qeverisë foli për projektet për integrimin e zonave informale. “Këto lagje duhet të trajtohen në mënyrë miqësore. Vetëm një përshtatje miqësore mund të zgjidhë pikëpyetjet e krijuara nga një ekstralegalitet kaq i madh. Ne vendosëm një ligj të bazuar në ato principe. PNUD-i dërgoi njerëzit e vet më të kualifikuar të punojnë në zyrën time”, - tha Berisha. Gjithashtu, ai ka vlerësuar dhe programin ‘Një OKB’.
Kryeministri, vizitë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë
Kryeministri Berisha u nis dje për një vizitë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë, me ftesë të Kryeministrit Nikola Špiriæ. Gjatë kësaj vizitë, Kryeministri Berisha do të takohet me zyrtarët më të larë të Bosnje-Hercegovinës, si dhe do të nënshkruajë disa marrëveshje të rëndësishme. Nesër, Kryeministri Berisha do të pritet nga Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës, z. Nikola Špiriæ, do të takohet me anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, si dhe do të zhvillojë një takim me Kolegjiumin e të dy Dhomave të Asamblesë Parlamentare. Gjatë qëndrimit në Sarajevë, Kryeministri Berisha do të takohet me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Bosnje, si dhe me trupat paqeruajtëse shqiptare.